TIRANE- Aktivistët e Aleancës Kuq e Zi janë përplasur me policinë bashkiake. Incidenti u regjistrua paraditen e sotme prapa Muzeut Historik në qendër të Tiranës. Fillimisht aktivistët e AK-së ishin vendosur përpara pemës së Vitit të Ri, në sheshin “Skënderbej” për protestën por dhe për të bërë publike akuzat ndaj kryeministrit Berisha. Por policia bashkiake nuk i ka lejuar. Më pas ata janë vendosur prapa Muzeut por sërisht policia bashkiake ka kërkuar të paraqitet një leje për zhvillimin e protestës. Gazetarja e Tv A1 Report Gentiana Haxhiu informoi se ka pasur dhe përplasje fizike mes aktivistëve të AK-së dhe policisë bashiake. Ndërkohë që kreu i policisë bashkiake Vullnet Topalli e mohon, duke deklaruar se çdo gjë ishte sipas rregullave.

“Nuk kishte përplasje fizike. Policia bashkiake kërkoi të shikonte lejen për zhvillimin e protestës, ato nuk e paraqitën leje. Më pas e konfirmuam vetë në policinë e shtetit se ishte marrë lejepër të zhvilluar tubimin. “- sqaroi Topalli për mikrofonin e Tv A1 Report.

“Unë bëj detyrën time , përderisa nuk më paraqitën nëj leje të marrë nga policia e shtetit unë tentoj të ndaloj çdo protestë. Unë e konfirmova vetë marjen e lejes tek Policia e shtetit pasi ata (aktivistët e AK) nuk më konfirmuan.”- shtoi Topalli.

Nga ana e tij një aktivist i AK-së tha se protesta ishte paqësore dhe nuk ishte normale ndërhyrja e policisë bashkiake.