Gjashtë persona janë arrestuar sot nga policia e Tiranës, një prej tyre ish-ushtarak në repartin e Zallherit, pasi u kapën në flagrancë me armë pa leje, municione dhe 27 kilogramë kanabis.

Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se ish-ushtaraku i arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Agimi”, që u zhvillua në banesën e tij, është 33-vjeçari Fatmir Haka. Ai ka qenë kapter në repartin e Zallherit dhe është liruar nga detyra 4 vite më parë. “Fatmir Ramazan Haka është larguar nga Forcat e Armatosura me urdhrin nr. 453 datë 29.06.2012”, bëjnë me dije burime zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes.

Ndërsa, të arrestuarit e tjerë janë 42-vjeçari Ylber Tahiri, 28-vjeçari Arben Metaj, 22-vjeçari Urim Haka dhe dy 30-vjeçarë, Valter Dedndreaj e Fatjon Hoxha. Të gjithë personat e arrestuar janë me banim në Tiranë.

Policia është informuar se pranë banesës së  ish-ushtarakut, personat e arrestuar po shkëmbenin një sasi lënde narkotike të llojit kanabis, e cila do të transportohej me një automjet tip “BMW”ngjyre gri, me targa AA 933 BX, shtojnë burime zyrtare nga policia.

Gjatë paradites, kur automjeti hyri në banesën e 33-vjeçarit, ka ndodhur ndërhyrja e efektivëve dhe neutralizimi i personave të arrestuar.

Në bagazhin e automjetit, ndodheshin 4 thasë të bardhë të mbushura me lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis, ndërsa tek këmbët e pasagjerit në sediljen e parë është gjetur një qese plastike me ngjyrë të zezë, brenda së cilës kishte lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis. Gjithsej, lënda narkotike e sekuestruar është 27 kilogram.

hashash arme

Nga kontrolli i ushtruar në automjet, ne sediljen e pasme u gjet dhe sekuestrua një armë zjarri automatike model 56, së bashku me një karikatorë me fishekë luftarak. Ndërsa, një pistoletë u gjet nga kontrolli i ushtruar ne banesën e ish kapterit, që u sekuestrua gjithashtu në cilësinë e provës materiale.

Policia sekuestroi edhe 10 aparate celularë dhe 3 peshore elektronike që shërbenin për peshimin e lëndës narkotike.

Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale: “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajta pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.