TIRANË - Dy kushërinj të moshave 47 dhe 56 vjeç u gjetën të vdekur në banesë. Ngjarja e rëndë ndodhi në banesën e 47 vjeçarit Altin Maksuti, në rrugën “Marije Kraja” tek zona e njohur si 'Kodra e Priftit' në Tiranë.
Maksuti ishte kthyer pak kohë më parë nga Greqia ku jetonte prej disa vitesh me familjen për të rikonstruktuar banesën ku u gjet i vdekur së bashku me kushëririn e tij Vladimir Bengu.
Më datë 19.12.2024, rreth orës 17:20, në rrugën “Marije Kraja”, dyshohet se janë asfiksuar nga rrjedhja e gazit, pronari i banesës, shtetasi Altin Maksuti, rreth 47 vjeç dhe një afërm i tij i largët shtetasi Vladimir Bengu, rreth 56 vjeç, të cilët kanë humbur jetën sipas konfirmimit të stafit mjekësor, informoi policia.
Fillimisht kanë qenë familjarët ata që alarmuan policinë pasi nuk po merrnin asnjë përgjigje nga telefoni që po i binin prej orësh.
Blutë pasi mbërritën në banesë u detyruan të shpërthejnë derën kryesore dhe pasi hynë brenda gjetën trupat e pajetë të dy personave, pronarit Altin Maksuti dhe kushëririt të tij të largët, 56 vjecarit Vladimir Bengu.
Shkak dyshohet se ka qenë rrjedhja e bombolës së gazit, e cila përdorej për ngrohje. Dyshimet e para të hetuesve janë se dy kushërinjtë kanë qenë në gjumë dhe kanë harruar ngrohësen hapur, gazi i së cilës ka rrjedhur dhe për pasojë janë asfiksuar duke humbur jetën.
Trupat e pajetë të vikatimave janë dërguar në morgun e Tiranës për autopsi, e cila do të përcaktojë zyrtarisht shkakun e vdekjes dhe kohën kur kanë vdekur. Grupi hetimor, në vendin e ngjarjes, ka mbldhur provat për dokumentimin e ngjarjes së rëndë, ndërsa janë pyetur fqinjët dhe familjarë të tjerë.
Janë nxjerrë nga banesa në Tiranë trupat e Altin Maksutit dhe Vladimir Bengut, të cilët ndërruan jetë pasi u asfiksuan nga rrjedhja e gazit.
Gazetari Sokol Dema bën me dije se trupat do dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa pista kryesore e hetimeve deri tani, lidhur me vdekjen e pronarit të banesës dhe të afërmit të tij, mbetet ajo se këta dy të fundit mund të kenë harruar ndezur ngrohësen me gazi sepse mund t'i ketë zënë gjumi.