TIRANE - Dy zjarre janë shënuar mesditën e sotmë në kryeqytet duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, por fatmirësisht nuk ka patur të lënduar në njerëz.

Zjarret janë shënuar përkatësisht në zonën e Doganës në Laprakë dhe në periferi të kryeqytetit në Brar.

FLAKET PERFSHIJNE MAGAZINEN TEK DOGANA

Një magazinë kondicionerësh dhe lubrifikantësh është shkrumbuar thuajse tërësisht nga flakët e rëna duke shkaktuar djegien e bazës materiale. Zjarri ka rënë mesditën e sotme dhe ka marrë përmasa të mëdha brenda pak minutash duke shkrumbuar gjithë materialet që ndodheshin në të.

Është dashur ndërhyrja e 4 shërbimeve zjarrëfikse për të neutralizuar flakët e për të vënë në kontroll sigurinë e kalimtarëve dhe bizneseve të zonës.

Nga ngjarja mësohet se nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale që kapin vlera të konsiderueshme. Policia ka nisur procedurat  për të mësuar shkakun e zjarrit.
 
Një tjetër zjarr ditën e sotme ka përfshirë një parcelë ullinjsh në Brar të Tiranës i cili me ndihmën e zjarrfikësve është bërë e mundur shuarja brenda pak minutash.

Në vendngjarje kanë qenë uniformat  blu, që po punojnë për shkaqet të cilat shkaktuan flakët në këtë vatër.

(ad.ti/shqiptarja.com)