Shoferi i autobusit të linjës së Institutit Bujqësor, i identifikuar si N.K., 62 vjeç është arrestuar nga policia e Tiranës pasi po drejtonte urbanin në gjendje të dehur. Arrestimi i tij u bë nga efektivët e policisë rrugore në rrugën "Dritan Hoxha".

Gjatë kryerjes se veprimeve policore, në testin e parë rezultoi testi i parë 0.342 mg/l dhe testi i dytë 0.549 mg/l dhe u vu në pranga për veprën penale "Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt". Shoferi 62-vjeçar është arrestuar edhe në vitin 2019 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur. Brenda një jave në Tiranë janë aksidentuar 3 urbanë të linjave të ndryshme, që mesa duket ka vënë në lëvizje policinë për të kontrolluar nëse shoferët e urbanëve kryejnë shkelje.

Mbrëmjen e 29 prillit, shoferi i autobusit të linjës së Unazës u përplas me një automjet tip "Benz" dhe të dy përfunduan në lumin Lana duke lënë 5 persona të plagosur. Banorët e zonës nxituan të nxirrnin dy të rinjtë që brenda automjetit tip “Benz” të kthyer përmbys poshtë autobusit. Ndërkohë, shoferi i autobusit, 62-vjeçari i identifikuar si Muhamet Kyçyku, banues në Tiranë do të hetohet për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor".

Autobusi që u ‘shndërrua’ në urë duke zënë poshtë makinën është ende në skarpatet e lumit. Policia rrugore po heton dy pista, atë të një defekti teknik në autobus, ku mendohet se ishin rreth 50 persona dhe parakalimit të gabuar të veturës.

Report Tv mëson se shoferi i autobusit ka deklaruar se po futej në stacion për të marrë pasagjerët por në një moment ka dalë jashtë kontrollit duke marrë xhiro shpejtësie dhe për të shmangur tragjedinë ai ka devijuar në Lanë. Dyshohet edhe për një parakalim të gabuar të shoferit të veturës në momentin që autobusi kishte ndezur sinjalin e bllokimit të krahut të majtë në blv. “Gjergj Fishta”.

Ndërsa mesditën e 2 majit, autobusi i linjës së “Qytetit Studenti” është aksidentuar në bulevardin “Zogu i parë” para maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Autobusi u përplas me kabinën e stacionit të pasagjerëve pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Në pasditen e 4 majit, një autobus u përplas me karotrecin tek "Stacioni i Trenit", por nuk pati dëme.