Pas lajmit të publikuar  dje në media se policia nuk gjobiti  një automjet Ferrari të parkuar gabim në rrugët e Tiranës, policia ka njoftuar se ka gjobitur mjetin me 30 mijë lekë të vjetra.

 Në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës, shkruhet se “Ferrari” nuk u gjobit ditën e djeshme pasi makina është me targa të huaja dhe nuk mund t’i vendoset gjobë në mungesë të drejtuesit.

Ndërsa, sa i përket faktit përse karroatreci i policisë nuk mund ta merrte, uniformat blu të kryeqytetit thonë nuk ishte e mundur zhvendosja e automjetit për shkak se është shumë e ulët.

gjoba ferrarit
gjoba ferrarit

Njoftim i plotë i policisë 

Policia e Tiranës u bën thirrje mediave që të bashkëpunojnë për raste të tilla të shkeljes së ligjit, qoftë edhe për parkime të gabuara.

Policia Rrugore e Tiranës ka ndëshkuar me gjobë mjetin tip “Ferrari”, me targa të huaja, që kishte parkuar një ditë më parë në vend ndalim-qëndrimi.

Shërbimet policore konstatuan dhe ndëshkuan mjetin sot në orët e pasdites.

Në bazë të legjislacionit mjeti u gjobit maksimalisht për parkim të gabuar, me 3 mijë lekë.

Policia Rrugore sqaron opinion, nisur nga publikimet në disa media online, se mjeti nuk u ndëshkua me gjobë një ditë më parë, pasi nuk u konstatua drejtuesi i tij dhe në kushtet kur mjeti është me targa të huaja, nuk vendoset gjobë në mungesë.

Policia ka thirrur shërbimet e karoatrecit për të dërguar mjetin në pikën e bllokimit, por për shkak të specifikave teknike të makinës (ishte shumë e ulët) nuk u realizua zhvendosja e saj.

Policia Rrugore thekson dhe garanton se pavarësisht disa komenteve në mediat online, çdo shkelje është e ndëshkueshme me forcën e ligjit. 

Ndaj i ftojmë mediat që të punojmë bashkë për një Shqipëri më të sigurt!

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)