TiranëKy është momenti kur forcat Operacionale, të koordinuara nga Komisariati nr. 4 në Tiranë, ndërhyjnë në Unazë të Madhe në Tufinë për arrestimin e disa personave të dyshuar për trafik armësh.

Në operacionin “Anëtarët”, autorët e trafikut të armëve i kishin lidhur 2 kallashnikovë në rripin e pantallonave brenda makinës Volkswagen dhe synimi ishte shitja e tyre në Fresk dhe Tufinë.

Në makinë u arrestuan në flagrancë 2 persona me precedentë të theksuar kriminalë, Artur Brahimaj, 63 vjeç i dënuar për drogë e mashtrim, dhe Ilir Zyberi, 55 vjeç i dënuar për vrasje, të dy nga Tirana.

Në pranga, si pjesë e grupit të trafikut të armëve ra edhe Artur Rushiti, 46 vjeç, po ashtu i dënuar për plagosje dhe u shpall në kërkim një i katërt.

Përveç 2 kallashnikovëve, grupit iu gjetën edhe 3 pistoleta dhe municion luftarak. Synimi ishte shitja e tyre nga 700 deri në 800 euro copa.

Grupi kriminal në fjalë dyshohet se e kryente veprimtarinë kriminale prej disa kohësh, ndërsa hetimi për gjetjen e provave zgjati për rreth 3 muaj. I njëjti grup nuk ka lidhje me të tjerë të goditur gjatë 6 muajve të fundit nga Komisariati nr. 4 për trafik armësh. Armët që i shisnin në Tiranë, dyshohet se i sillnin nga Fieri. Qytet ku mendohet se kanë bashkëpunëtorë të tjerë që po hetohen. Armët i shisnin te grupe të tjera kriminale me bazë në kryeqytet, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për krime.

Një prej të arrestuarve, Ilir Zyberi prej kohësh ka marrë mbiemrin e gruas Avdillari. Pjesë e bandës së Yzberishtit që në vitet 1997-1998, ai ishte i dyshuar për të paktën 20 vepra penale në atë periudhë. Dënimi i tij më i rëndë, 22 vjet burg të shlyera ishte për vrasjen e biznesmenit italian Stefano Rossi. Pas këtij dënimi, ai u arrestua sërish për drogë në 2017. Zyberi është vëllai i Nazmi e Fatmir Avdillarit, po ashtu pjesë e bandës. Fatmir Avdillari, apo “Xubi”, u aksidentua për vdekje në bulevardin "Migjeni" në 2021-shin.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 3 muajve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është organizuar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe është finalizuar operacioni i koduar “Anëtarët”.  

Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit:

-I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje; 

-A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe   për mashtrim;

A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç. 

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në Tufinë, shtetasit A. B dhe I. Z., në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov.  

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk.   

Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në grup.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:19
Tiranë/ Shisnin armë zjarri me vlerë 800 euro, Report Tv siguron foton e tre të arrestuarve

Foto: Artur Brahimaj, Artur Rushiti dhe Ilir Zyberi

Report Tv ka siguruar foton e tre të arrestuarve, pjesë e një grupi kriminal që shisnin armë zjarri kryesisht në zonën e Tufinës dhe Freskut.

Armët të cilët dyshoheshin se vinin nga Fieri, shiteshin deri në 800 euro.