Përveç nëndeklarimit të pagave të punonjësve, ndërtuesit nuk deklarojnë çmimin real të shitjes së apartamenteve, si dhe raportojnë shitje nën çmimet e referencës, madje shpesh në cash dhe pa fatura të fiskalizuara. Ulja e deklarimit të vlerës reale të pronës, bëhet kryesisht për të shmangur tatimin 15% për transaksionin.
Kryerja e një volumi të madh transaksionesh me para në dorë sipas administratës tatimore ka sjellë vështirësi në përcaktimin e kostos reale të ndërtimit, ndaj dhe shpesh bëhet objekt i raporteve për rrezikun e pastrimit të parave.
Janë këto disa nga shkeljet kryesore të konstatuara nga Administrata Tatimore në kontrollet e kryera në sektorin e ndërtimit në 8,784 biznese aktive, ku gati gjysma, rreth 47% ushtrojnë aktivitetin në Tiranë.
Në planin sektorial të miratuar nga tatimet thuhet se nga 64 mijë punonjës që ka ky sektor 55% e tyre kanë rroga deri në 50 mijë lekë, ndërsa pagën mesatare të vendit e kalojnë vetëm 10% e punonjësve. Këto paga të ulta sipas tatimeve nuk paraqesin realitetin. 3 janë shkeljet e konstatuar në punësim dhe paga:
-Numër i ulët i punonjësve të deklaruar në raport me vëllimin e punimeve.
-Paga të deklaruara shumë më të ulëta se niveli mesatar i tregut për profesionet e ndërtimit.
-Përdorimi i punëtorëve të përkohshëm ose të padeklaruar për fazat intensive të punimeve.
Këto arsye çuan tatimet të miratonin paga referuese në këtë sektor që do të rishikohen për çdo vit. Me përjashtim të sanitarëve, të gjithë punonjësit e tjerë të sektorit duhet të kenë paga mbi 80 mijë lekë.
“Sektori i ndërtimit mbetet një nga prioritetet e Administratës Tatimor për shkak të nivelit të lartë të informalitetit dhe ndikimit të tij të drejtpërdrejtë në të ardhurat buxhetore dhe në tregun e punës. Vendosja e pagave referuese dhe përdorimi i analizës së thelluar të riskut për identifikimin e rasteve të nën-deklarimit përbëjnë një instrument të rëndësishëm në formalizimin e sektorit dhe forcimin e administrimit tatimor”, thuhet në planin e tatimeve.
Gjithashtu gjatë kontrolleve të kryera thuhet në dokument janë identifikuar edhe shkelje duke përdorur furnitorë fiktivë dhe fatura të rreme për të rritur artificialisht shpenzimet dhe për ulur fitimin e tatueshëm.
Prej datës 16 janar tatimet kanë nisur kontrollet fizike për të gjithë ata tatimpagues të këtij sektori që nuk kanë reflektuar as pas letrave që ju ka dërguar administrata tatimore në muajin dhjetor për deklarim real si të pagave të punonjësve por edhe të transaksioneve.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente












