TIRANE- Liberalizimi i vizave për disa persona është kthyer në burim fitimi, ku me anë të mashtrimeve duke abuzuar me fenomenin e gjakmarrjes kanë krijuar grupe kriminale të cilat veprojnë në Shqipëri.
 
Orët e para të mëngjesit të sotëm njësia e Antikrimit Ekonomik në kryeqytet ka arrestuar në kushtet e flagrancës Egys Tafanin, (foto) 34 vjeç, i cili dyshohet të jetë dhe ndërmjetësi i një bande, e cila lëshonte vërtetime gjakmarrje të falsifikuara për shtetas shqitarë .Këto vërtetime më pas përdoreshin për të kërkuar azil të rremë në vendet e BE-së, e më së shumti në Francë.
 
34-vjeçari është arrestuar në sajë të operacionit të koduar “Azili i Rremë”, ndërsa janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorë të tij. Në momentin e arrestimit Tafanit iu bllokuan 10 vërtetime gjakmarrjeje të falsifikuara për shtetasit shqiptarë, vërtetime të cilat plotësoheshin kundrejt pagesës prej 20.000 lekë.
 
Burime nga Antikrimi Ekonomik thanë për “A1 Report” se janë dhe disa operacione të tjera në proces e sipër, pasi fenomeni i azilantëve është rritur së tepërmi në këtë periudhë, duke rrezikuar edhe kthimin e regjimit të vizave për shqiptarët.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)