Çdo qytetar do të ketë mundësi të shuajë kërshërinë e tij për të mësuar se si jetonte ish-diktatori, pasi këtë muaj, ish-rezideca e Enver Hoxhës në kryeqytet, pritet të hapet për publikun, për herë të parë.

Këtë e ka bërë të ditur sot, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, gjatë dëgjesës publike që zhvilloi për planin e ri urban të Tiranës, që drejtohet nga arkitekti i njohur italian, Stefano Boeri.

“Shpresoj që përveç “Resë”, në muajin prill, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, të hapim atë që njihet si vila e Enver Hoxhës në ish-Bllok. Besoj se shfrytëzojmë disa hapësira që mund të kenë qenë tabu apo qeveritare, me shërbime të kufizuara, duke i hapur për publikun dhe krijuar këto lloj “qelizash” në të gjithë qytetin që mund të gëlojnë si nga jeta ekonomike, ashtu edhe nga jeta kulturore”, deklaroi Veliaj.

Ai foli edhe për projekte të tjera si ai i sheshit Skënderbej, Unaza e vogël, ndërtimi i kopshteve e shkollave, gjelbërimi, etj.

“Duam t’i ndërtojmë shkollat menjëherë, për të zgjidhur dramën ku në qytetin e Tiranës nga 92 shkolla, 87 janë me dy turne”, theksoi kryebashkiaku.

erion veliaj

Veliaj bëri me dije se projekti për tarracat e gjelbra pritet të nisë së shpejti në zonën e 21 Dhjetorit. Këtë mandat parashikojmë të mbjellim 50 mijë pemë, por në këtë proces duhet të përfshijë edhe privatin, u shpreh ai, teksa shtoi se “investimet publike janë vlerë e shtuar për komunitetin”.

Për të spjeguar këtë, kryebashkiaku solli edhe shembullin e investimeve te zona e “Pazarit të Ri”, që sipas tij, kanë sjellë edhe rritjen e çmimeve të banesave në ketë zonë, duke iu referuar agjencive imobiliare.

Ai iu përgjigj edhe ankesave të ndërtuesve se Bashkia nuk po jep leje ndërtimi: “Lejet e ndertimit kanë ndikim te punësimi, unë e di, por ato duhet të jepen me karar”.

Së fundmi, Veliaj u shpreh se është i gatshëm për debat lidhur me planin e ri urban të Tiranës.

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)