TIRANE - Bashkia e Tiranës ka nxjerrë listën e 260 objekteve që do të përfitojnë nga akti normativ i qeverisë, i cili u miratua disa ditë më parë. Ky akt i hap rrugën hipotekimit të 260 objekteve mbi tre kate,  me një sipërfaqe totale rreth 930.000 m2, ku janë rreth 11000 apartamente me përfitues direkt rreth 44 mijë qytetarë.

Ky akt trajton vetëm ato struktura ose objekte, për të cilat janë konstatuar shkeljet nga Zyra e Urbanistikës në periudhën pas vitit 2006, pasi kishte përfunduar afati për vetëdeklarim për legalizim që përcaktonte ligji nr.9482, datë 03.04.2006 për “Legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” (i ndryshuar) i cili ka qenë deri në 4 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Rrjedhimisht ndërtimet me shkelje të kondicioneve të lejeve, subjektet e të cilëve  kanë aplikuar pranë ALUIZNI-it, dhe janë në proces trajtimi nga ana e tyre, përjashtohen nga fusha e veprimit të këtij akti. Po sipas aktit normativ, miratimi i listave bëhet vetëm me vendim të këshillit vendor të çdo njësie të këtij pushteti.

Këshilli i Ministrave në 6 shkurt të këtij viti miratoi Aktin normativ në bazë të ligjit për “Pajisjen me leje përdorimi të strukturave të ndërtuara me shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit përpara fillimit me efekte të plota të ligjit nr.10119, datë 23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar”.

Nëpërmjet të cilit i hapet rruga procesit të pajisjes me leje përdorimi, të objekteve të ndërtuara përpara fillimit me efekte të plota të Ligjit nr.10119 dt.23.09.2009 “Për planifikimin e territorit” i ndryshuar, të cilat janë konstatuar me shkelje të kondicioneve të lejes së ndërtimit dhe projekteve të miratuar. Më konkretisht akti, parashikon pajisjen me leje përdorimi të strukturave që kanë përfunduar ndërtimin në datën e fillimit me efekte të plota të ligjit nr.10119, datë 23.4.2009.


Lista me 260 objektet që do hipotekohen u botua sot në gazetën Shqiptarja.com

(b.m/shqiptarja.com)