Tiranë, incident në KZAZ 33, PS:
Punonjës të ÇEZ tentuan kutitë

Tiranë, incident në KZAZ 33, PS:<br />Punonjës të ÇEZ tentuan kutitë
TIRANE-  Një rast i paprecedent ka ndodhur në një qendër numërimi në Tiranë që ndodhet në shkollën 9-vjeçare “Bajram Curri”, KZAZ-në nr.33. Gjashtë punonjës të ÇEZ-it me makinë kanë hyrë fshehurazi në oborrin e KZAZ-së nr.33 dhe komisionerët e PS-së i kanë kyçuar ata brenda dhe kanë njoftuar policinë. Por, ata kanë mundur të largohen me shpejtësi nga prapa shkollës.

Policia ka shpallur në kërkim Igli Çelën, që dyshohet se ka dëmtuar materialet. Sipas komisionerëve të majtë dhe dy kandidatëve për deputetë, Sadri Abazi dhe Fatmir Xhafa, punonjësit e ÇEZ kanë qënë të shoqëruar prej dy kandidatëve të PD-së, Arben Qirjakos dhe Tahir Muhedinit.

Sipas komisionerëve të PS-së, ata kanë hyrë me preteksin e rregullimit të një difekti elektrik, duke u lejuar nga policia, por në makinë kanë pasur edhe një kuti votimi, të cilën dyshohet se kanë dashur ta përdorin për të manipuluar votat.

Zv/drejtori i policisë së Tiranës, Erzen Breçani, një oficer i policisë gjyqësore dhe dy juristë të PS-së u morën me hetimin nëse kishte prova nga ky denoncim i PS-së. Pas incidentit të ndodhur rreth orës 16:00 deri tani ora 18:00 procesi i numërimit ende nuk ka nisur ndërsa grupi hetimor po bën verifikimin e rastit nëse personat kanë mundur të hyjnë aty ku ndodheshin kutitë e votimit apo jo. Lidhur me ngjarjen, në ambientet e jashtme të KZAZ nr.33, rreth orës 18:30 erdhën edhe kandidatët e PD-së, Majlinda Bregu dhe Arben Qirjako. Policia ka deklaruar se aty nuk ka pasur kurrfarë shkeljeje, ndërsa KQZ-ja nuk kishte informacion me shkrim për ngjarjen.

DEBATE TE ASHPRA NDERMJET KANDIDATEVE TE PS DHE BREÇANIT, ZV.DREJTORIT TE POLICISE SE TIRANES
 Gazetari Arsen Rusta raportoi nga vendngjarja se ka një akuzë të drejtëpërdrejtë se Tahir Muhedini dhe Igli Çela kanë ndërhyrë në KZAZ-në nr 33 duke manipuluar kutitë. Një debat i fortë ka shpërthyer në vendngjarje nga kandidatët e PS-së, Sadri Abazi dhe Fatmir Xhafaj me Zv.Drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçanin, që kishte ardhur në qëndër pas sinjalizimit.
 
Abazi tha se “policia i ka lejuar të hyjnë në KZAZ pa autorizim. Në momentin që kam ardhur, punonjësit e ÇEZ janë larguar nga prapa shkollës dhe policia nuk ka vepruar. Policia thotë që ata ishin me autorizim, por nuk kanë shënuar emra.”
 Në këto momente, Abazi është drejtuar Breçanit, që e kundërshtonte duke I thënë se ata nuk kishin hyrë fshehurazi: “ Më thuaj çfarë dokumentacioni kishin, ma trego dokumentacionin. Ti je njeriu që akuzohesh publikisht.”
 
Zv.Drejtori i Policisë u kundërpërgjigj: “Unë jam general i policisë së shtetit, as i Saliut, as i kurrkujt!” Por, Breçanit iu kthye edhe kandidati Fatmir Xhafa: “Ti je i kriminalizuar, je pa edukatë dhe pa asgjë. E quaj për turp të merrem me ty. Ti je aksident në polici. Për fat mbaroi koha jote. E ke përdorur policinë e shtetit. Ti je ordiner.”
 
Një punonjëse e KZAZ-së sqaroi më pas se “ne morëm një vendim që do largoheshim për një pushim të shkurtër e do ktheheshim sërish. Mirëpo këtu është shkelur etika dhe siguria. Do ta vendosim këtu jashtë se çdo të bëjmë dhe pastaj do të hyjmë atje brenda. Do bëjmë denoncim.”

XHAFAJ: INCIDENTI, JO NGJARJE E SHKEPUTUR 
Fatmir Xhafaj, kandidat për deputet i PS-së në atë zonë tha se nuk kemi të bëjmë me një ngjarje të shkëputur dhe akuzon pjesë të strukturave të policisë së shtetit por dhe të Tiranës të lidhur me elementë të krimit.
 
“Nuk është ngjarje e shkëputur që ka ndodhur në këtë zonë dhe posaçërisht në këtë mjedis, që është vend i numërimit të votave në njësinë 4 të Tiranës. Gjatë gjithë këtyre ditëve ka pasur tensione për shkak të prezencës së personave të inkriminuar, të cilët në mënyrë të konsiderueshme kanë lëvizur me targa jo të rregullta dhe persona të inkriminuar duke pasur mbështetje të strukturës së policisë, jo të gjithë policisë, por segmente të strukturës së Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe asaj të shtetit. 

Të lidhur me eksponentë të PD-së kanë qenë të shoqëruar nga drejtues të policisë së Tiranës. Këto janë fakte shqetësuese që ia kam raportuar drejtuesve dhe i kam kërkuar të distancohen dhe respektojnë ligjin. Ai tension është vetëm një segment dhe pjesë e atij tensioni, që shoqëroi numërimin e votave”

“Është përpjekje për të deformim. Elementë të tillë ka pasur në qendër nga PD. Drejtues të policisë së Burgjeve po numërojnë votat, nuk më takojnë mua emrat. Janë persona që iu ka bërë të njohur KZAZ-ja.  Jemi në kushtet e numërimit; i dhamë mundësi që të shohin në momentin kur u bë shkëputja. I kanë dhënë mundësi disa elementevë të hyjnë në oborr. Është ndërprerë energjia elektrike papritur dhe grupe të ÇEZ, të paautorizuar, kanë hyrë në oborr e nën preteksin si punëtorë të ÇEZ, kanë hyrë eskponentë të PD-së.

Militantët tanë, socialistë, janë detyruar të mbrojnë dhe bënë të mundur identifikimin e këtyre personave dhe me reagimin e menjëhershëm të medias, u bë e mundur të denoncohej rasti e policia të vinte,”- tha Xhafaj, duke shtuar se PS-ja është para në këtë KZAZ dhe se “në numrin e mëtejshëm do shikoni përparësi.”
bregu 

“ÇEZ është shfryrtëzuar për të hyrë elementë që mund -  së paku nuk jam unë organi për ta vërtetuar - nëse mund të hynin për të manipuluar votat. Di të them që elementë të tillë kanë hyrë në oborr në kundërshtim me rregullat, me një mjet, në kohën që KZAZ-ja kishte ndërprerë punimet dhe askush nuk mund të ndërhynte brenda territorit.

Policia nuk ishte në ushtrimin e rregullt të detyrës. Kryetarja e KZAZ-së ka dy orë që i ka informuar për të ardhur, por ende nuk kanë ardhur për të bërë verifikimin, gjendjen e vulave, materialet zgjedhore. Kjo ngre shqetësim të madh. Se të jesh anëtar i KZAZ-së dhe të njoftohesh se ka ndodhur një ngjarje e rëndë e të mos reagosh është tregues tjetër,”- përfundoi Xhafaj.
 
KANDIDATI I PD, ARBEN QIRJAKO, PERGENJESHTRON
Kandidati i PD-së, Arben Qirjako e përgënjeshtroi ngjarjen me fjalët: “Unë shpresoj kandidatët e PS-së të përgënjeshtrojnë menjëhërë deklaratën e tyre. Ata e kanë bërë këtë sepse në këto qëndra votimi, PD-ja ka një rezultat pozitiv. Nuk është mirë që kandidatët e PS-së të bëjnë të tilla deklarata. Këtu ka një sistem kamerash dhe prokuroria mund ta verifikojë që nuk kam qënë i pranishëm dhe nuk ka pse lakohet emri im. Unë personalisht kam qënë këtu në qëndër vetëm paradite rreth orës 10:00 dhe më pas do vija rreth orës 18.00.

POLICIA E TIRANËS: NUK KA SHKELJE, INCIDENT EMOCIONAL
Drejtori i Policisë së Tiranë, Bernard Caushaj, deklaroi nga KZAja nr.33 se në të “nuk kemi të bëjmë  me asnjë lloj shkeljeje. Policët kanë qënë në krye të detyrës. Edhe ata që e krijuan këtë incident janë më të bindur sesa unë pse e krijuan këtë incident. Komisioni që është brenda do ta japë me shkrim se këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj shkeljeje. Këto momente i ndërlikojnë ata që i përfshin emocioni dhe duhet ta lënë policinë të bëjë detyrën,”- tha ai.
 
KQZ: NUK REZULTON ASNJË LLOJ PROBLEMI, PAVARËSISHT PRETENDIMEVE
Sekretari i KZAZ-së është personi që administron të dhënat dhe ai ka deklaruar se të dhënat janë njëlloj, tha përfaqësuesi i KQZ-së në mbledhjen e pasdites. Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj pyeti nëse informacioni që ka KQZ-ja lidhur me KZAZ-në nr.33 është marrë nga gjithë komisioni apo vetëm nga sekretari. Përfaqësuesi I KQZ-së tha se këtë pohim e ka marrë vetëm nga sekretari i qëndrës së votimit. Lidhur me ngjarjen nuk ka asnjë informacion me shkrim, shkresor.

Redaksia online
(sg/arsh/ shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit