TIRANE - Një aksident fatmirësisht pa viktima ka ndodhur sot në mëngjes në Urën e Lanës që lidh pallatet Shallvare me zonën e Ish-bllokut. Një automjet tip Benz është përplasur me një Golf 4. Dyshohet se njëri nga mjetet nuk ka respektuar semaforin. Polici i rrugores thotë se kamera e vendosur në kryqëzim do të nxjerrë edhe fajtorin e këtij aksidenti.

Dëshmitarët okularë u shprehën për A1 Report në vendngjarje se "automjeti tip Golf 4 me targa BZ 065 AA që drejtohej nga Ziadin Tahiri po lëvizte në unazë me shpejtësi të madhe, ndërsa Benzi me targa AA 668 BZ që drejtohet nga Olsen Metaj po vinte me shpejtësi nga rruga e Shallvareve drejt urës së Lanës dhe janë përplasur në kryqëzim. Benzi është rrotulluar 2 herë në mes të rrugës duke përfunduar në anën tjetër të kahut të lëvizjes, ndërsa golfi ka dalë nga rruga duke rënë në skarpatet e Lanës.

Policia tha se "kamera ka filmuar skenën e aksidentit dhe do të jetë prova kryesore për ekspertët, pasi asnjëri nga drejtuesit e mjeteve nuk e pranojnë fajin për aksidentin".

Aksidenti mund të kishte rrezikuar edhe jetën e këmbësorëve që po kalonin në kryqëzimin në momentin e përplasjes së mjeteve, pasi ndodhi rreth orës 6:45 kohë kur njerëzit vrapojnë për një punë. Nga aksidenti pati vetëm dëmtime të automjeteve.
(ri.de/Shqiptarja.com)