Kamera e sigurisë e një pallati në kryeqytet, e vendosur nga banorët e tij, zbulon bandën e vjedhjes së banesave nëpërmjet thyerjes së fishekut të dyerve me pajisje të posaçme.

Oltion Nurçe, 39 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje, të cilin e shihni në këtë foto, është personi i arrestuar.

Nurçe i njohur me nofkën “Kiçi”, bashkë me Xhiljon Hoxhën, të cilin e shihni në këtë foto, për gati gjashtë muaj ishin bërë ‘tmerri’ i banesave në kryeqytet.
Më tepër se 12 vjedhje dyshohen se mbajnë autorësinë e këtyre personave, ndërsa policia thotë se ka dokumentuar 6 prej tyre.

Pamjet që shihni i përkasin pikërisht një prej rasteve të vjedhjeve të kryera nga personat e identifikuar tashmë, ndërsa personat futen në hyrjen kryesore të pallatit dhe më pas në ashensor.

Personi i cili futet i pari në shkallë dhe që sipas policisë është identifikuar me emrin Xhiljon Hoxha, hyn në korridorin e pallatit dhe kontrollon nëse ka kamera sigurie.

Pavarësisht kësaj, ai nuk arrin të shikojë se ku është vendosur kamera. Më pas, të dy hyjnë në ashensor dhe futen në pallat, ku edhe sipas policisë, kanë kryer një vjedhje.
Pamjet mësohet se janë marrë në një pallat në rrugën “Zef Jubani”, ndërsa kanë ndihmuar policinë të identifikojë autorët e dyshuar.

Veç pamjeve, specialistët e krimeve, kanë kryer edhe hetimet të tjera ndaj të dyshuarve, duke siguruar informacione të rëndësishme për ta.
Ata kanë kryer edhe dokumentimin e ngjarjeve.

Në cilësinë e personit të dyshuar, policia ka arrestuar Oltion Nurçen të njohur me nofkën Kiçi, ndërsa është shpallur në kërkim edhe bashkëpunëtori i tij, Xhiljon Hoxha. 

Vjedhjet e dokumetuara ku janë përfshirë personat e lartpërmendur:

1. Më datë 22.03.2016, në rrugën “Frederik Shiroka”, është vjedhur banesa e Y.K., 77 vjeç, banues në Tiranë, ku janë marrë një varëse floriri, një unazë dhe një sasi prej 150.000 lekësh.

2. Më datë 28.03.2016, në rrugën “Zef Jubani”, është vjedhur banesa e A.B., 41 vjeç, banues në Tiranë, ku janë marrë shuma e 35.000 lekëve dhe disa bizhuteri të ndryshme.

3. Më datë 24.04.2016, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, është vjedhur banesa e E.Sh., 32 vjeç, banues në Tiranë, ku janë marrë një lap-top dhe disa bizhuteri të ndryshme.

4. Më datë 27.04.2016, në rrugën “Irfan Tomini”, është vjedhur banesa e D.K., 45 vjeçe, banuese në Tiranë, ku janë marrë tre kompjutera “Lap-top”, një telefon celular tip “Samsung Galaxy”, një shumë prej 400 euro, 30.000 lek dhe disa bizhuteri.

5. Më datë 04.05.2016, në rrugën “Tish Daia”, është vjedhur banesa e E. h., 51 vjeçe, banuese në Tiranë,  ku janë marrë 260.000 lekë.

kamerat e sigurise

Reaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)