Tiranë, kujdesej për 82-vjeçaren, por
në 'kohën e lirë' i vjedh 840 mijë lekë

TIRANË - Kujdestarja 57-vjeçare nga Tirana akuzohet se i ka vjedhur 840.000 lekë nga banka të moshuarës 82-vjeçare. Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë me dije se kallëzimi është bërë në Komisariatin numër 6 nga vetë e moshuara, e cila dyshon se paratë mund t’ia ketë marrë 57-vjeçarja me inicialet V. Ç., me anë të kartës së kreditit. Çështja i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa burimet nga policia kanë bërë me dije se është kërkuar ndihmë nga banka ku e moshuara mbante paratë, për të mësuar rreth tërheqjeve të parave.

“Më datë 11.02.2016, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasen V. Ç., 57 vjeç, banuese në Tiranë,  pasi dyshohet se me anë të mashtrimit, i ka marrë kartën e bankës shtetases K. P., 82 vjeçe, banuese në Tiranë dhe ka tërhequr në bankomat 840.000 lekë. Neni 143/1 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës. Ndërkohë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. 57-vjeçarja është shoqëruar në komisariat, e cila ka dhënë deklarimet e saja lidhur me akuzën e ngritur, ndërsa mësohet se nuk ka pranuar vjedhjen e parave nga llogaria e të moshuarës.

Vjedhja
Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se shuma e parave 840 mijë lekë, dyshohet të jetë marrë nga ana e 57-vjeçares përgjatë periudhës kohore 5 mujorshe (nga muaji gusht-dhjetor 2015). Denoncimi për këtë rast mësohet se është bërë nga vetë e moshuara 82-vjeçare, e cila të gjitha dyshimet e saja i ka hedhur mbi 57-vjeçaren.

Kujdestarja
Më tej, burimet theksuan se 57-vjeçares i ishte besuar 82-vjeçarja për t’u kujdesur për të. Mësohet se ajo qëndronte në shtëpinë e të moshuarës, ndërsa kishte prioritet edhe në gjërat e saja personale. Por si arriti gruaja të gjente kodin e kartës së kreditit? Mësohet se 57-vjeçarja çdo muaj i merrte të moshuarës pensionin, madje sipas deklarimeve të së moshuarës në polici, kujdestarja dinte edhe kodin e kartës së kreditit. Për këtë arsye 82-vjeçarja ka hedhur dyshimet e para se mund të jetë V. Ç., ajo që mund t’ia ketë marrë paratë nga banka. 

Neni 143                                                                                          
“Vjedhja e pasurisë me anë të gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet”, parashikohet në Nenin 143 të Kodit Penal.

*Foto ilustruese

Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion