Tiranë- Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur gjatë natës së djeshme (27 dhjetor) në rrugën e Kavajës në Tiranë, ku një këmbësor 66 vjeçar është përplasur nga një mjet shumë pranë vijave të bardha.
Pas aksidentit, 66 vjeçari me inicialet A.K është transportuar me ambulancë në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë.
Ai ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm, si pasojë e plagëve të marra, ndërsa policia ka arrestuar shoferin, 31 vjecarin me inicialet M.A.
'Sektori i Qarkullimit Rrugor arrestoi në flagrancë shtetasin: M.A, 31 vjeç, pasi në Rrugën e Kavajës, ka aksidentuar këmbësorin A.K, 66 vjeç, i cili ka humbur jetën në spital në orët e para të mëngjesit', njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.