TIRANË- Fabrika e sfungjerëve në Kombinat në zonën e Misto Mames në kryeqytet është përfshirë nga flakët mesditën e sotme. Si pasojë e shpërthimit të zjarrit brenda në fabrikë, 2 punëtorë janë asfiksuar. Report Tv ka siguruar pamjet nga nxjerrja e një prej punëtorëve me barrelë nga fabrika, i cili si pasojë e tymit dhe blozës e ka pasur të pamundur që të dalë vetë. Dy punëtorët janë dërguar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Paraprakisht dyshohet se zjarri është shkaktuar aksidentalisht. Kjo pasi gjatë prodhimit të një blloku sfungjeri, i cili sapo ka dalë nga prodhimi, si pasojë e temperaturave shumë të larta, ka shpërthyer në flakë.
Nga djegia e materialeve të sfungjerit në fabrikë, tymi i zi ka mbuluar zonën, ndërsa raportohet për dëme të shumta materiale. Kanë qenë vetë punëtorët të cilët kanë bërë izolimin kryesor të vatrës me fikëse dore. Ndërsa pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, flakët brenda fabrikës janë vënë nën kontroll.
Arjan Ahmetaj, specialist për parandalimin e zjarreve, u shpreh për Report Tv se punëtorët bënë të mundur izolimin e flakëve në fabrikën e sfungjerit me anë të fikësve të dorës. Ahmetaj tha se po hetohen shkaqet e rënies zë zjarrit, ndërsa shtoi se zjarrfikëset arritën në kohë.
“Me marrjen e njoftimit, janë nisur stacionet kryesore të Tiranës dhe zjarri në momentin e parë është sulmuar nga vetë punonjësit dhe me fikëset e dorës e kanë sulmuar atë, kur ka ardhur zjarrfikësja, vatra është vënë në kontroll. Grupi i hetimit po bashkëpunon, po vazhdojmë hetimet. Punëtori ka qenë i asfiksuar dhe është jashtë rrezikut për jetën”, tha Ahmetaj.
Një punëtor është asfiksuar pas zjarrit të rënë në fabrikën e sfungjerit në Kombinat. Report Tv ka siguruar momentet kur nxirret nga fabrika me barrelë një nga punëtorët e asfiksuar. Burime bëjnë me dije se nuk ka probleme të rënda shëndetësore.