TIRANE- Partia “Lëvizja Socialiste për Integrim” mbajti sot në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” konventën e saj për Qarkun e Tiranës. Në këtë takim është prezantuar i gjithë ekipi i kandidatëve të LSI-së për Tiranën. Në fjalën e tij, kreu i LSI tha qeveria aktuale është drejt largimit, pasi vendi ndodhet në vështirësi të mëdha ekonomike, dhe shqiptarët janë të papunë. Sipas Metës, “kreu i PD-së po lufton për një mandat të tretë, dhe jo për të ardhmen e vendit”.

"Tirana dhe Shqipëria do të votojnë për LSI-në sepse nuk mund të jetë më e para politika për politikën dhe politika për politikanët. Por, do të jetë e para ekonomia, problemet sociale dhe punësimi i qytetarëve tanë dhe në radhë të parë i të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. Të gjithë e kanë të qartë se forca politike që ka objektivat më të qarta është Lëvizja Socialiste për Integrim, sepse problemi ynë kryesor është ristrukturimi i shpejtë dhe afatgjatë i ekonomisë në mënyrë që të evitojmë rënien dhe katastrofën ekonomiko-financiare përmes atyre reformave imediate që kryeministri aktual që as nuk i kupton dhe as nuk do t’i kuptojë. Sepse ai lufton për një mandat më shumë. Ai nuk lufton për një të ardhme më të sigurt të qytetarëve shqiptarë, të të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë", tha Meta.

Duke u bazuar në raportin më të fundit të BERZH, Meta tha se ekonomia është shumë pranë rënies, duke paralajmëruar një skenar krize që ka prekur vendet e rajonit.

"Raporti i fundit i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e thotë shumë qartë se në tremujorin e parë ekonomia e Shqipërisë u rrit vetëm me 0.5 për qind. Pra, është shumë pranë rënies ekonomike, shumë pranë atij skenari të cilin nuk e duam por të cilin e kemi parë se si është zhvilluar në vende të tjera. Atij skenari që çon jo vetëm në zerimin e investimeve publike, jo vetëm në humbjen e vendeve të punës por edhe në uljen drastike të pagave dhe të pensioneve. Prandaj, Tiranë e para do të votojë kundër një qeverie, e cila nuk ka asnjë përgjegjshmëri për financat publike dhe buxhetin e taksapaguesve shqiptarë dhe nuk ofron dot asnjë perspektivë më të mirë për 24 qershorin”, u shpreh Meta.

Ndërsa vijoi më tej, “Berisha, i ka bërë llogaritë shumë gabim, sepse qytetarët tanë janë shumë të vëmendshëm dhe e kuptojnë se vota e tyre nuk mund të shkojë për një qeveri që e ka marrë të tatëpjetën me kohë dhe kërkon të marrë të gjithë Shqipërinë me vete”.

“Politikës së tuneleve po i vjen fundi, sepse ajo nuk është politika e cila garanton progresin ekonomik dhe social por është një politikë afatshkurtër për qëllime elektorale e cila nuk sjell atë progres që i kanë kërkuar dhe që kërkojnë qytetarët shqiptarë. Katër vjet më parë u inaugurua tuneli i Kalimashit. Jam i bindur se këtu ka plot qytetarë nga Kukësi me origjinë dhe ata kanë familjarët e tyre në Kukës. Dhe ata e dinë shumë mirë se pas katër viteve nga inaugurimi i tunelit të Kalimashit, i cili nga nxitimi me të cilin u inaugurua, u harxhuan dhe rreth 100 milionë euro më pas për ta rikuperuar. Pra që atëherë numri i familjeve në qytetin e Kukësit që marrin asistencë sociale është dyfishuar. Nesër kemi një inaugurim tjetër. Kemi inaugurimin e tunelit të Kërrabës, i cili po inaugurohet vetëm për qëllime elektorale, jashtë gjithë standardeve teknike, duke abuzuar me fondet tuaja dhe të prindërve tuaja, vetëm e vetëm që Sali Berisha mendon se mund të marrë edhe një votë më shumë. Por përgjigjen më të mirë do ta marrë në Elbasan dhe në Tiranë ashtu si do ta marrë në të gjithë Shqipërinë. Sepse politika e tuneleve po shkatërron ekonominë tonë. Ajo ka rritur borxhin në mënyrë të jashtëzakonshme. Ajo ka rritur deficitin në mënyrë të jashtëzakonshme. Ajo nuk mund të sjellë më shumë punësim, përkundrazi. Ka sjellë një regres social sepse nuk është një politikë e mençur por është një politikë populiste për qëllime afatshkurtra”, tha Meta.

Meta denoncoi "sulmet" që Ministria e Brendshme ka ndërmarrë ndaj kandidatëve të LSI-së, teksa akuzoi ministrin Flamur Noka se po tenton me veprime të paligjshme të prishë zgjedhjet.

"Ne do të fitojmë në gjithë Shqipërinë, ne do të fitojmë edhe në qarkun që ka më pak deputetë, në qarkun e Kukësit dhe dua t’i përshëndes nga këtu të gjithë kandidatët tanë të Kukësit. Do të jetë fitorja më e bukur pavarësisht se kandidatët tanë po ndeshen jo me rivalët por me të gjithë Ministrinë e Brendshme, me gjithë Policinë e Shtetit, që ka angazhuar ministri i Brendshëm, i cili nuk synon të marrë tre mandate, por synon të ruajë mandatin e tij për të ardhmen sepse i duhet imuniteti nga veprimet e paligjshme që po bën për të prishur zgjedhjet e lira dhe të ndershme", vijoi kreu i LSI.

META: DO KRIJOJME LEHTESIRA PER BIZNESIN DHE DO NXISIM INVESTIMET E HUAJA
 
Duke u ndalur tek vështirësitë ekonomike me të cilat përballet vendi sot, kreu i LSI, tha se forca politike që ai drejton ka një program të qartë për të nxitur punësimin dhe për të zhvilluar ekonominë në vend, si dhe për t’i krijuar sa më shumë hapësirë dhe lehtësira, bizneseve dhe investimeve të huaja.
 
“Ndaj, plani ynë për zhvillimin e ekonomisë së vendit, plani ynë për ristrukturimin e ekonomisë, plani ynë për rimëkëmbjen dhe modernizimin e bujqësisë dhe mbështetjen e industrisë agropërpunuese, plani për ngritjen e një sistemi të tërë të fabrikave të pasurimit të mineraleve në vend, plani ynë për zhvillimin e industrisë dhe të shërbimeve është plani më i qartë që sjell shëndoshjen e ekonomisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Për ne politika e taksave nuk është një debat as teorik dhe as etik. Për ne politika e taksave është instrumenti ynë për të zhvilluar ekonominë dhe për të nxitur vendet e reja të punës. Ne do t'i japim frymëmarrjen e cila i është ngushtuar sipërmarrjes së lirë vendase dhe të huaj, në mënyrë që të zgjerohen aktivitetet ekzistuese dhe të nxitet hapja e aktiviteteve të reja e në mënyrë të veçantë duke stimuluar sipërmarrësit për çdo të ri dhe të re që do të fusin për herë të parë në punë duke subvencionuar një pjesë të pagës, për të ulur kostot e tyre dhe për të ndihmuar të rinjtë dhe të rejat e Tiranës dhe të Shqipërisë për të zënë një vend të sigurt pune", tha Meta.

Ndërsa vijoi: "ne do të krijojmë parqet industriale për të tërhequr të gjithë investitorët italianë dhe evropianë të cilët për shkak të krizës ekonomike në vendet e tyre dhe rritjes së taksave preferojnë Shqipërinë si destinacion i mrekullueshëm për të zhvendosur fabrikat e tyre dhe aktivitetet e tyre. Do tu krijojmë mundësi, do tu krijojmë infrastrukturën e dhe terrenin dhe do tu krijojmë lehtësi nga taksat për pesë vitet e para, vetëm për një qëllim, për të fituar mijëra e mijëra vende të reja pune".

"Do të ndryshojmë paksa moton e kësaj fushate", tha kreu i LSI, le të themi "të vrapojmë më shpejt drejt integrimit".

PREZANTOHEN KANDIDATET E LSI NE TIRANE

Kandidatët e LSI për qarkun e Tiranës, kanë ftuar qytetarët për të votuar alternativën që ofron kjo forcë politike për të mundësuar punësimin, rritjen ekonomike dhe integrimin e vendit në BE.

Kandidati Ylli Manjani i ftoi përkrahësit e LSI të jenë edhe më të bashkuar gjatë kësaj jave, deri në realizimin e zgjedhjeve të 23 qershorit. "nesër doktori do të inaugurojë një gjysmë rruge për t'i marrë mendjen shqiptarëve", tha Manjani.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)