TIRANË- 36 drejtues biçikletash janë gjobitur për herë të parë pasi nuk kanë respektuar korsinë e biçikletave të dedikuar për ta si dhe nuk kanë respektuar semaforët duke u shndërruar në një rrezik për këmbësorët, por edhe shkaktarë për aksidentet.

Këto gjoba janë vendosur vetëm gjatë 24 orëve të fundit, pas monitorimit të kryer nisur nga fakti që gjatë kësaj kohe ka ardhur në rritje numri i personve që përdorin biçikletën si mjet transporti. Pavarësisht së ne qytet ka pista të dedikuar për lëvizjen e tyre, duket se drejtuesit e biçikletave nuk janë ndërgjegjësuar mjaftueshëm, çka u ka kushtuar edhe gjobitjen.

36 drejtuesit e biçikletave janë gjobitur me 1 mijë lekë, e ndërsa sipas Kodit Rrugor parashikohen ndëshkime që fillojnë nga 250- 1000 lekë. 

"Pedalo biçikletën në pistat e rezervuara për to, respekto rregullat, për sigurinë tende dhe të tjerëve në rrugë. Duke konsideruar rritjen e ndjeshme të përdoruesve të biçikletave në kryeqytet dhe faktin që në disa ngjarje rrugore janë përfshirë shumë drejtues biçikletash, rrugorët e kryeqytetit, prej disa ditësh kanë analizuar me kujdes mekanizmat e ngjarjeve rrugore dhe shkaqet e tyre. Me qëllim disiplinimin e lëvizjes së drejtueseve të biçikletave sipas dispozitave të parashikuara në nenin 180 të Kodit Rrugor shqiptar, por edhe parandalimin e ngjarjeve të rënda që vijnë edhe si pasojë e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e biçikletave, janë monitoruar dhe organizuar kontrolle në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit, të cilat edhe pse tashmë janë të pajisura me pista të rezervuara për biçikletat, shumë drejtues biçikletash preferojnë të qarkullojnë në korsitë e lëvizjes së automjeteve apo në korsitë e shërbimit publik, duke u kthyer në një rrezik permanent për veten dhe përdoruesit e rrugës në tërësi.

Krahas monitorimit dhe këshillave ndaj kësaj kategorie, për kujdes të shtuar gjatë përdorimit të rrugës, nuk kanë munguar edhe masat administrative për ata që nuk përdorin pistat e rezervuara, nuk respektojnë sinjalizimin e ndritshëm semaforik, nuk marrin biçikletën për dore dhe si pasojë e kushteve të qarkullimit, bëhen pengesë ose rrezik për këmbësorët", njofton policia.