Tiranë - Pronari i një lokali në kryeqytet është arrestuar nga blutë e Tiranës, pasi organizonte lojëra fati në biznesin e tij në rrugën “Frederik Shiroka”.
Ndërkohë kanë nisur hetimet edhe për një 20-vjeçar i cili punonte një një tjetër lokal ku vendoseshin baste sportive.
Gjatë kontrolleve të kryera blutë sekuestruan pajisjet elektronike që shërbenin për këtë veprimtari.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të kontrolleve në lokale dhe subjekte të tjera, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të përshtatjes së tyre për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, konstatuan se në 2 lokale viheshin baste sportive nëpërmjet kompjuterave dhe celularëve.
Për këto raste:
-u arrestua shtetasi E. Gj., 28 vjeç, pasi në lokalin e tij, në rrugën “Frederik Shiroka”, u gjet kompjuter në të cilin ishin instaluar programe për lojëra fati;
-u procedua penalisht shtetasi B. K., 20 vjeç, pasi gjatë kontrollit në lokalin ku ai punonte, iu gjetën në celular, aplikacione për baste sportive. Kontrollet kundër kësaj veprimtarie vijojnë”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente







