TIRANË - Policia ka zbuluar një rast të veprimtarisë së kundërligjshme të prostitucionit në një qendër masazhesh në rrugën Bardhyl. Tre persona janë vënë në pranga, 5 janë nën hetim, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër.

Pas një pune hetimore disamujore u finalizua nga Seksioni për hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë operacioni ‘Kamuflimi 2’.

Në vijim të punës u gjet kjo qendër masazhesh në rrugën Bardhyl e regjistruar ligjërisht, ku kryhej edhe veprimtaria e paligjshme e prostitucionit.

Si pasojë u vunë në pranga administratorja e qendrës, Etleva Osmani, 31 vjeçe. Gjithashtu u bë e mundur arrestimi i një klienti në këtë qendër, Igli Borri, 21 vjeç, banues në Skrapar si dhe i një punonjëseje Manuela Cullhaj, 37 vjeçe, banuese në Durrës.

U proceduan penalisht dy punonjëse D.H., 38 vjeçe dhe L.S., 25 vjeçe, si dhe 3 klientëve: A.B., 34 vjeç, A.I., 28 vjeç dhe K.A., 21 vjeç. Policia po punon për kapjen e administratorit tjetër të qendrës O.Rr., 38 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit, aparate celulare, një pajisje DVR dhe një automjet.