TIRANË- Një aksident me vdekje është regjistruar këtë mbrëmje në Tiranë. Një 35-vjeçare është përplasur për vdekje nga një kamion. Ngjarja është regjistruar rreth orës 20:00 në Unazë të Re, në rrugën Teodor Keko.

Mësohet se 35-vjeçarja E. N., ka qenë duke kaluar rrugën. Ajo kishte qenë në market duke blerë disa ushqime dhe më pas ka qenë duke u kthyer në shtëpi. Duke kaluar rrugën, ajo është përplasur nga kamioni që po transportonte bitium. E reja nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe për pasojë ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. 35-vjeçarja banonte në zonën e Astirit, në një banesë më qira.

Report Tv ka qenë në vendin e ngjarjes, teksa sjell edhe pamje, ku duket edhe kamioni që përplasi për vdekje të renë. Në zonën ku ka ndodhur aksidenti është aks që ndalohet kalimi i këmbësorëve për shkak të fluksit të lartë të automjeteve që ka. Për të kaluar rrugën, ka vetëm dy opsione, nënkalimi pranë vendit të ngjarjes dhe kryqëzimi që ndodhet në qendër të Astirit.

Aksidenti shkaktoi trafik të rënduar në zonë, ndërsa u desh ndërhyrja e policisë për të lehtësuar qarkullimin e makinave.

Ndërkohë, një tjetër aksident me vdekje është regjistruar gjatë ditës së sotme. Një mjet bujqësor në Korçë është përplasur me një motor, për pasojë humbën jetën, drejtuesi i motorit Arian Xhuti, 46-vjeç dhe për pasagjerja e mjetit bujqësor, Hatixhe Kulla, 58-vjeç.