Tiranë- Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar këtë të martë në kryeqytet.

Autoboti i UKT-së ka përplasur një grua që lëvizte me motor elektrik te Bulevardi 'Gjergj Fishta’, pranë 'Gjykatës Civile.

Për shkak të plagëve të marra 72-vjeçarja ka ndërruar jetë në vendngjarje, teksa policia ka shtë shoqëruar në Komisariat shoferin e autobotit, për zbardhjen e plotë të rrethanave.

"Rreth orës 10:30, në bulevardin “Gjergj Fishta”, automjeti (autobot) me drejtues shtetasin A. B, rreth 52 vjeç, dyshohet se ka përplasur motomjetin elektrik me të cilin lëvizte shtetasja A. B., rreth 72 vjeçe, e cila për pasojë ka humbur jetën. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të metejshme procedurale", njoftoi sot policia.

Ndërkohë Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka reaguar për ngjarjen. Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook UKT ka shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimës.

Ujësjellës Kanalizime Tiranë shpreh keqardhjen e thellë për aksidentin e ndodhur tek Bulevardi ‘Gjergj Fishta’ dhe i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës.

Në këto momente të vështira, jemi pranë familjes dhe po ndjekim me seriozitet të plotë zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse.

Institucioni ynë mbetet i angazhuar për të marrë çdo masë të nevojshme dhe për të qenë në mbështetje të plotë të familjes”, thuhet në njoftim.

__________

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë