TIRANE - Një person ka prerë pemët te parku, te ish-fusha e Aviacionit. Kjo gjë ka irrituar banorët e pallateve të cilat ndodhen aty pranë. Ata kanë kundërshtuar këtë veprim, kjo ka bërë që midis banorëve të ketë pasur konflikte.

Sipas banorëve personi i cili ka dëmtuar pemët duke i prerë ato, ka vetem 4 muaj që ka ardhur në këtë lagje. Ai ka blerë një apartament në katin e parë të një pallati. “Personi që ka prerë pemët ka vetëm 4 muaj, që ka ardhur në lagjen tonë. Ai në fillim hoqi pllakat që ishin vendour në lulishte, për të kaluar banorët. Këto ai i hoqi me arsyetimin se:  “Kalojnë shumë persona këtu dhe me shqetësojnë gjithashtu ata kanë shkruar edhe në mur”. Ndërsa në mur ka vite që është shkruar.

Si mund të shqetësohet ky banor i cili nuk jeton këtu por vjen vetëm me raste” na thotë një banor. Po sipas banorëve ky person ka vetëm qëllime biznesi që i pret pemët, sepse kërkon që aty të vendosë karrige dhe tavolina për ta bërë lokal “ Personi të cilin ne nuk e njohim fare ka vetëm qëllime biznesi. Ai kërkon që të presë pemët për të hapur vendin dhe aty të vendosë karrige dhe tavolina për ta bërë lokal. Ndaj edhe e ka blerë këtë apartament në kat të parë dhe vetë nuk rri asnjë ditë. Epidemia e lokalomanisë po zë çdo pëllëmbë vend dhe për këtë u duhej të prisnin edhe pemët.” tregojnë banorët.

Ata thonë që do e mbrojnë këtë pjesë të gjeneruar të lagjes së tyre pasi ata janë kujdesur për ato pemë. “ Ne i kemi mbjellë vetë këto pemë, jemi kujdesur për këto pemë, i kemi ujitur kur nuk kishte ujë në verë, u kemi shërbyer duke i krasitur. Dhe tani na vjen një i huaj që i teket të bëjë biznes dhe na shkatrron të vetmen zonë të gjelbërt që kemi para pallatit”. Banorët reaguan duke u  konfrontuar me ta dhe u desh ndërhyrja e policisë që bëri shoqërimin e tyre, pasi kishin shkulur disa pemë. “Nuk dimë nëse kjo do të jetë skena e fundit por shpresojmë që pemët të shpëtojnë” thonë banorët të shqetësuar
   
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com (print), 12 shkurt 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)