Tiranë- Një punëtor 47-vjeçar me origjinë nga Bosnjë Hercegovina humbi jetën të shtunën (31 maj) në një kantier ndërtimi në Tiranë, rrugën “Brigada VIII”, në zonën e ish-Bllokut.

Një ditë më vonë (1 qershor), pas përfundimit të hetimeve paraprake, specialistët e Komisariatit nr. 2 në kryeqytet arrestuan Darjo Hoxhën, 32 vjeç, inxhinierin e firmës së ndërtimit “Nova Construction”, e cila është përgjegjëse për ndërtimin ku ngjarja e rëndë ndodhi.

Po ashtu, Policia e Komisariatit nr. 2 shpalli në kërkim administratorin e kompanisë, Enea Kaçi, 34 vjeç dhe drejtuesin teknik të punime, një 75-vjeçar, R.J. Ata janë nën akuzë për shkelje të rregullave mbrojtëse në punë dhe do të jetë Prokuroria e Tiranës, e cila do të vijojë më tej hetimet bashkë me Prokurorinë, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Ata dyshohen se si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, ditën e djeshme, ka rënë nga lartësia e një pallati në ndërtim shtetasi i huaj V. N., 47 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën”, bëri me dije policia e kryeqytetit pas hetimeve paraprake.

“Nova Construction” me pronar të 91% të aksioneve Ilir Shtufin, është e njëjta kompani që po ndërton projektin më të lartë të qiellgërvishtësve në Tiranë, brenda unazës së vogël, “Mali i Tiranës”. Pas këtij projekti 65-katësh, dyshohet se fshihet djali i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha.

Ngjarja e rëndë ndodhi dje në rrugën “Brigada VIII”, në kryeqytet, ku 47-vjeçari ra nga lartësia e pallatit në ndërtim, ku ishte i punësuar dhe humbi jetën.