TIRANE - Rreth 600 kandidatë për mësues i janë nënshtruar provimit përfundimtar të detyrueshëm për tu pajisur me licencë. Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj mori pjesë në inspektimet që u kryen në Agjencinë e Korrigjimit të Provimeve ku prej tre ditësh kandidatët për mësues po i nënshtrohen testimeve.

Tafaj deklaroi se tanimë standardet e përzgjedhjes janë të krahasueshme me ato evropiane.

“Ky është një standard i ri që arrihet në sistemin tonë arsimor. Është një standard i përcaktuar në ligjin e Profesioneve të Rregulluara, një standard i cili është përforcuar edhe në ligjin e ri të arsimit parauniversitar. Unë thash, vetëm mësuesit e licencuar do të emërohen me kontrata definitive. Sigurisht që është një konkurs, por numri i pikëve që marrin mësuesit në provimin e shtetit është kriter shumë i rëndësishëm që do të ndiqet edhe për emërimin e mësuesve në nivele të ndryshme të shkollave”, u shpreh ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.

Provimi përfundimtar për kandidatët zgjat në total 60 minuta. Ndërkaq, në ditën e tretë të konkursit u paraqitën në testim pretendentët për mësues në degën e biologjisë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)