Një 48-vjeçar nga Kosova që administronte një pikë për këmbimin e parave në Tiranë, u shpall në kërkim, pasi paratë e klientëve i hidhte në portofole virtuale dhe ndërkohë nuk bënte asnjë deklarim të klientëve dhe parave që ata sillnin duke e pasur të pamundur gjurmimin e origjinës së tyre.

Policia thotë se finalizoi operacionin e koduar “Crypto” pas hetimeve me metoda proaktive nga krimi Ekonomik nën drejtimin e prokurorisë së Tiranës. Në gjendje të lirë po hetohet punëtori i subjektit, një 22-vjeçar nga Tiranë, i cili u shërbente klientëve.

Sipas policisë, klientët sillnin para për t’i investuar në monedha virtuale. Në disa raste kur vlera e investuar ishte rritur në rrjetet e kriptimonedhave, ata i tërhiqnin në para cash përmes të njëjtës pikë këmbimi të administruar nga kosovari në kërkim. Edhe në këtë rast, asgjë e deklaruar.

Administratori paguhej për shërbimin që u jepte klientëve, me garancinë se në të gjitha rastet investimi nuk do u shkonte dëm, dhe vlera e parave që kishin dorëzuar në fillim, do të rritej në portofolet virtuale.

Por administratori nga Kosova, duket të ketë përfituar shuma të mëdha parash cash nga klientët, nisur nga fakti që në dy llogari me kriptomonedha që policia sekuestroi, vlera e monedha virtuale kishte arritur në 135 mijë euro. Por cash në subjekt, ai kishte 60 665 euro të përftituara nga kjo veprimtari e paligjshme, të cilat blutë e Tiranës i sekuestruan. Pra, loja e tij për të mos i kthyer klientëve para cash, duket të ketë qenë premtimi se ai do të punojë që monedha virtuale të fitojë akoma edhe më shumë vlerë.

 Në pikën e këmbimit të parave u gjetën edhe 2 kompjuterë që shërbenin për të menaxhuar sistemet e kriptomonedhave, 1 laptop dhe një aparat celular.