Arrestohet vëllai i ish deputetit Adriatik Alimadhi, pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me firmën e tij të përmbarimit privat. Fatos Alimadhi, 54 vjeç, nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi kjo është hera e tij e 3-të që arrestohet. Me firmën e tij të përmbarimit ‘Alimadhi SHPK’, ai është arrestuar edhe në 2015 dhe 2018 pikërisht për mashtrim duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash.

Sot Alimadhi është vënë në pranga për shpërdorim detyre, pasi së bashku me dy përmbarues të tjerë kanë firmosur për bllokimin e llogarive bankare të familjarëve të një personi që kishte ndërruar jetë. Nën hetim janë vënë edhe dy kolegët e tij S. D., dhe P. Q., po për shpërdorim detyre.

Por, si arriti të zbardhë këtë skemë krimi ekonomik i Policisë së Tiranës? Historia e ka zanafillën rreth 15 vite më parë. Burime nga policia bëjnë me dije se një person mori në një bankë të nivelit të dytë 380 mijë euro kredi për blerjen e një vile luksoze në autostradën Tiranë-Durrës, e cila ishte në pronësi të ish-presidentit të klubit të futbollit Partizanit, Albert Xhani.

Por pak kohë pasi mori kredi, qytetari humbi jetën aksidentalisht, duke lënë pa shlyer kredinë në bankë. Në këtë rast, këstet e kredisë janë bërë për vite me radhë nga siguracioni i jetës së tij duke shlyer përfundimisht shumën e marrë nga i ndjeri. Ndërsa vila e blerë u shits nga familjarët tek një person i tretë.

Sipas burimeve nga policia, kompania e përmbarimit në pronësi të Fatos Alimadhit, pretendoi se me përllogaritjet e tyre, nuk është janë shlyer rreth 100 mijë euro nga kredia dhe për këtë arsye, në kundërshtim me ligjin, dhe pa vënë në dijeni familjarët e viktimës, i kërkuan bankës së nivelit të dytë ngrirjen e llogarisë bankare të familjes së të ndjerit. Në momentin që kjo gjë është konstatuar nga familjarët, bënë kallëzimin në polici.

Në 2018, përmbaruesi Fatos Alimadhi u arrestuar pasi përfitoi 32.255 euro në lidhje me shitjen e një apartamenti duke shpërdoruar detyrën. Përmbaruesi Alimadhi akuzohej se shiti një apartamenti, ku në ankandin e dytë, në baze të ligjit duhet të shitej me vlerë 20% më i ulët se ankandi i pari, por ky apartament është shitur disa herë më ulët se kjo vlerë që para shikon ligji, duke bërë që ai të përfitonte shumën prej 32.255 euro. Në atë kohë Alimadhi iu shmang hetimit duke zhdukur dosjen përmbarimore.

Edhe në 2015 Fatos Alimadhi është arrestuar për mashtrim me pasoja të rënda, pasi ka përvetësuar 4,5 milionë lekë të reja të disa shtetasve, të cilët kishin përfituar të drejtën për shpërblim shëndetësor.

Ekstrakti i biznesit të Fatos Alimadhi