Tiranë - Aleksandro Maliqaj, 23-vjeç ka rënë në prangat e policisë së Tiranës për drogë.

I riu shiste kokainë dhe kanabis në doza në zonën e “Ish-parkut të autobusave”.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e 23-vjeçarit blutë sekuestruan rreth 265 gramë kokainë dhe një sasi kanabisi, të ndara në doza, gati për shitje. 

“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, është organizuar dhe finalizuar një tjetër operacion.       

Mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas shiste lëndë narkotike në zonën e quajtur “Ish-parku i autobusave”, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve finalizoi operacionin policor të koduar “Parku”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi:  

 A. M., 23 vjeç, banues në Tiranë. 

Gjatë operacionit, në rrugën “Frosina Plaku”, shërbimet e Policisë kanë kapur 23-vjeçarin, të cilit gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, i gjetën 265 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë të ndarë në sasi të vogla/doza, gati për shitje, dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.