Tiranë- Pesë persona janë arrestuar brenda pak orëve në kryeqytet nga Policia e Tiranës, mes të cilëve dy për akuzën e prodhimit dhe shitjes së drogës, dy për vjedhje dhe i fundit për thyerjen e masës së sigurisë së gjykatës.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve bënë me dije sot (21 Shtator), se arrestuan 40-vjeçarin me inicialet A. H., dhe J. H., 33 vjeç, banues në Tiranë.
“Gjatë kontrolleve fizike shërbimet i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis”, konfirmoi policia.
Kurse specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 ndaluan shtetasin F. A., 55 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka vjedhur një portofol në një lokal dhe ata të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan K. K., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi “dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një banesë”.
I fundit është prangosur nga policia e kryeqytetit edhe Sh. Gj., 40 vjeç, pasi akuzohet se ka shkelur masën e sigurisë "arrest në shtëpi" që i kishte dhënë Gjykata e Shkallës së Parë.