Tiranë-Policia e Tiranës ka arrestuar 2 persona dhe për 2 të tjerë ka nisur hetimi, pasi u kapën në flagrancë duke shkarkuar inerte në vende të paligjshme.

Sipas policisë, për rastet e konstatuara nga IKMT është vendosur gjobë me vlerë 15 milion lekë të vjetra.

Dokumentet e kamionëve me të cilat shkarkoheshin inertet janë bllokuar, ndërsa automjetet iu janë lënë në ruajtje pronarëve të tyre.

‘Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, janë konstatuar duke transportuar e shkarkuar inerte dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit M. N., 35 vjeç, banues në Mamurras, dhe M. K., 58 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Menaxhimi i mbetjeve", parashikuar nga neni 201/a i Kodit Penal. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit E. N., 28 vjeç, dhe Y. U., 45 vjeç’, njoftoi policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.