TIRANË- Një borxh i supozuar prej 30 mijë eurosh, i marrë në Spanjë, u bë shkak për kërcënimin e një 29-vjeçari në Tiranë nga 3 vëllezërit Cekani, me origjinë nga Librazhdi. I riu, mori kërcënime të shumta në celularin e tij dhe familjarëve, që duhej të shlyente paratë. Vëllezërit Cekani shkuan deri aty sa herë pas here i nisnin foto të shtëpisë së tij, si presion për marrjen e borxhit. Të martën i riu u përball edhe me kërcënimin me jetë “do të të vrasim nëse nuk na jepë paratë”. 

Vëllezërit Ersi, Arben dhe Ardi Cekani, në shoqërinë e 3 miqve të tyre, takuan “borxhliun” për t’i kërkuar paratë e pretenduara në shtëpinë e tij, aty ku edhe e kërcënuan në sy të familjarëve. 

Pas këtij incidenti të rëndë, 29-vjeçari iu drejtua policisë për të denoncuar 6 të rinjtë. Para hetuesve, ai pretendon se në kohën që qëndronin në Spanjë, i kishte marrë 5 mijë euro njërit prej vëllezërve, borxh që sipas tij e ka shlyer, por në vijim, kanë pretenduar se duhej t’i jepte 30 mijë euro. Pas denoncimit, agjentët e Komisariatit nr. 4 gjetën dhe arrestuan Ersi Cekanin, 26 vjeç, i cili i marrë në pyetje nga hetuesit nuk ka pranuar të japë detaje. 

Në hetim në gjendje të lirë është vëllai tjetër, Arben Cekani, 35 vjeç, 3 shokët e tyre, 19 dhe 35 vjeç nga Librazhdi, dhe një 3-vjeçar nga Peshkopia. Ndërkohë, në kërkim u shpall vëllai i tretë, Ardi Cekani, 28 vjeç. 

Në vijim të hetimeve, policia po verifikon burimin e të ardhurave të familjes Cekani. Burime pranë policisë thonë se tre vëllezërit Cekani janë persona me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje dhe vjedhje të ndryshme, të regjistruar brenda vendit, por nuk dihet veprimtaria e tyre në Spanjë. Hetimet në vijim pritet të zbardhin të plotë dinamikën e ngjarjes dhe të shkuarën e tyre në vendin iberik.