Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të tregtimit të lëndëve piroteknike pa autorizim.
Në pranga kanë rënë tre pronarë marketesh në Rrugën e Qelqit, Kombinat, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamzë dhe në fshatin Hasan, Krujë.
“Si rezultat i kontrolleve intensive që po kryhen përditë, në kuadër të planit operacional “Fireëorks”, në subjekte që mund të tregtojnë pa autorizim lëndë piroteknike, veprimtari e cila rrezikon shëndetin e qytetarëve, shërbimet e Policisë së Tiranës evidentuan 3 markete në këtë paligjshmëri.
Për këto 3 raste u arrestuan shtetasit K. K, A. B. dhe F. Sh., pasi në marketet e tyre, përkatësisht, në Rrugën e Qelqit, Kombinat, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamzë, dhe në fshatin Hasan, Krujë, u gjetën kuti me lëndë piroteknike, që mbaheshin me qëllim shitjen”, njoftoi sot policia.
Ndërkohë në kërkim është shpallur një 20 vjeçar, teksa në gjendje të lirë do të hetohet një 21-vjeçar. Gjatë kontrollit në makinën e këtij të fundit blutë gjetën një sasi e fishekzjarresh, të cilat dyshohen se janë porositur nga i riu tjetër.
“Ndërkohë, nga specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4, u procedua penalisht shtetasi E. B., 21 vjeç, si dhe u shpall në kërkim policor shtetasi E. P., 20 vjeç. Në rrugën “Aleksandër Moisiu”, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues shtetasin E. B., u konstatua një sasi e konsiderueshme fishekzjarresh, të cilat dyshohen se janë porositur nga shtetasi E. P. Punohet për kapjen e 20-vjeçarit dhe dokumentimin e plotë të rastit”, thuhet më tej në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente









