TIRANË-Një sasi lënde plasëse, shpërtheu në katin e pestë të bllokut të pallateve “Riviera”, në rrugën “Margarita Tutulani”, në kryeqytet mëngjesin e të martës rreth orës 1:30 minuta. Eksplozivi shpërtheu në shkallën e parë, ngjitur me banesën e ish- drejtorit të Postës së Dibrës, Naim Kaçorri. Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa ka shkaktuar dëme edhe në katet e poshtme të pallatit, ndonëse jo aq të mëdha sa në katin ku ka shpërthyer.

Ekspertët përcaktuan se lënda plasëse është vënë pranë derës së Kaçorrit, por se ende nuk dihet objektivi i saktë i shpërthimit. Policia po heton për konflikte të mundshme kryesisht të pjesëtarëve të familjes Kaçorri, pasi shpërthimi ndodhi pikërisht pranë derës së shtëpisë së tij. Jashtë kamerave, të afërm të kësaj familjeje pohuan se nuk kanë ndonjë konflikt. Por burime të policisë thanë se djali i madh i Kaçorrit iu ka pohuar hetuesve se disa ditë më parë kishte parë në pallat, një person me bluzë jeshile.

Sapo është diktuar prej tyre sipas rrëfimit të Kaçorrit, personi është larguar me shpejtësi. Inspektorët e krimeve, po kërkojnë pamjet e kamerave të sigurisë së një objekti pranë vendit të ngjarjes pasi mendohet se ato kanë regjistruar lëvizjet e autorit të mundshëm.

Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autorët të kenë ngatërruar objektiv dhe po verifikon edhe pista të tjera në lidhje me ngjarjen. Violeta është një prej, një banore e pallatit e cila rrëfen momentin e shpërthimit dhe tmerrin që përjetuan.
 
Shpërthimi i shkaktoi dëmtime të lehta jo serioze një gruaje që banonte në katin e pestë dhe që ndodhej në apartamentin e saj pranë derës së jashtme. Sipas ekspertëve, sasia e lëndës plasëse që shpërtheu pranë derës së Kaçorrit, është përcaktuar të ishte mbi 300 gramë. Nga shpërthimi është shkaktuar në shkallë një hapësirë në formë harku të çrregullt me diametër rreth 25-30 cm.

Po kështu ashensori i pallatit është shkatërruar totalisht, ndërsa dëme të mëdha materiale iu janë shkaktuar të katër apartamenteve të katit të pestë si dhe kateve fqinje. Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur një prej 1.8 metër fitil zjarrpërcjellës dhe një pjesë fitili e djegur që sipas ekspertëve është përdorur për të aktivizuar shpërthimin.