Një 40-vjeçar u arrestua nga policia e Tiranës pasi u kap me 63 doza kokainë.
Rigert Sinani, banues në kryeqytet u arrestua në rrugën ‘Allman Dervishi’ pasi në kontrollin e ushtruar në makinën e tij u gjetën 63 doza kokainë.
Policia njofton se Sinani merrej me shpërndarjen e lëndës narkotike në zonën e Laprakës kryesisht si dhe në disa pjesë të tjera të Tiranës.
Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një shumë lekësh që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal, dhe 4 aparate celularë si dhe automjeti me të cilin qarkullonte 40-vjeçari.
“Gjatë operacionit policor të koduar “Lapraka”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve kapën në rrugën “Allman Dervishi “ dhe më pas arrestuan në flagrancë shtetasin R. S., 40 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në automjetin me të cilin ky shtetas qarkullonte u gjetën 63 doza lëndë narkotike kokainë, një shumë lekësh që dyshohen se janë të përfituara nga aktiviteti kriminal i shpërndarjes së lëndës narkotike dhe katër aparate celular, të cilët janë sekuestruan në cilësinë e provave materiale bashkë me automjetin” – njofton policia.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.