TIRANË - Kontrollonin trafikun e heroinës nga Turqia drejt Shqipërisë e më pas në vendet e Europës përfundojnë në Gjykatë 5 shtetas mes tyre dhe 2 gra. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar kërkesën për gjykim ndaj Albert Shkëmbit, Kleanthi Agollit, Marsel Moravës, Manjola Terollit dhe Eleni Xhafës nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim.

Rrjeti i trafikantëve u zbulua me kapjen e Eleni Xhafës në qershor të vitit të shkuar në pikën kufitare të Kapshticës të sasisë gjysmë kilogram heroinë, ndërsa hetimet nxorën në pah se ky grup përbëhe ej nga shtetasit e mësipërm. Për transportin e heroinës nga Turqia drejt Shqipërisë sipas akuzës Albert Shkëmbi dhe Marsel Morava rekrutonin shtetas shqiptar kundrejt pagesës nga 300 deri në 500 euro për kilogram.

Nga hetimet ka rezultuar se Albert Shkëmbi zhvillon aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të lëndës narkotike të llojit heroinë të cilën e siguron në Turqi, e transporton më pas në Shqipëri nëpërmhet rrugës tokësore dhe e trafikon jashtë Shqipërisë në vendet e Evropës Perëndimore ose e shet në Shqipëri.  Në këtë veprimtari kriminale ai bashkëpunonte dhe me te pandehurit Marsel Morava, Kleanthi Agolli, Manjola Terolli, të cilët e ndihmonin në gjetjen magazimimin dhe shitjen e lëndës narkotike dhe shtetasja Eleni Xhafa në rolin e transportueses.
 
Kjo veprimtari drejtohet dhe financohet nga Albert Shkëmbi. Ky shtetas, pasi siguron lëndën narkotike në Turqi, e trafikon në Shqipëri nëpërmjet teritorit të Maqedonisë ose Greqisë. Cilësia e lëndës, shikohet dhe kontrollohet nga i pandehuri Marsel Morava, i cili bashkëpunon ngushtë me të pandehurin Kleanthi Agolli. Lënda narkotike e siguruar në Turqi, transportohet nga shtetas shqiptarë të ndryshëm, të cilët rekrutohen nga te pandehurit Albert Shkëmbi dhe Marsel Morava. Pasi personat të cilët bien dakort të kryejnë transportimin e lëndës narkotike nga Turqia për në Shqipëri, kundrejt shumave të parave nga 300 euro deri 500 euro, shoqërohen nga shtetasi Albert Shkëmbi dhe Marsel Morava për në Turqi. Në Turqi, u jepej lënda narkotike instruktohen për mënyrën e lëvizjes, kohën dhe vendin ku do të dorëzojnë lëndën narkotike në Shqipëri. Itenerari i lëvizjes së transportuesve është Turqi-Greqi-Maqedoni-Shqipëri dhe zakonisht lënda fshihet në trup të personave transportues. Më pas ai shet brenda teritorit të Shqipërisë ose e trafikon jashtë saj.
 
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)