Për konfliktin e dy ditëve më parë në Tiranë, policia ka identifikuar 10 persona dhe arrestuar 4 prej tyre. Në pranga janë Rezar Zaimi, Kevin Kocibellinj, Stiven Fezollari dhe Rolf Fezollari.

Frenki Fezollari dhe Cercis Brahimllari, të dy 32 vjeç, janë shpallur në kërkim, kurse 4 të tjerë janë nën hetim.

Dyshohet se 34-vjeçari Rolf Fezollari ka fyer një të mitur duke e nxitur atë dhe miqtë e tij të konfliktoheshin fizikisht mes tyre. 17-vjeçari ka shkuar më pas me motor te banesa e vëllezërve Rolf e Stiven Fezollari, por vëllai tjetër i tyre, Frenki, i ka qëlluar me armë zjarri, pa lënduar njeri.

Brahimllari është në kërkim për përkrahje të autorit dhe moskallëzim krimi. Për të njëjtën vepër është arrestuar Rezar Zaimi që iu gjet edhe thikë, tashmë e sekuestruar. Kevin Kocibellinj akuzohet për përkrahje të autorit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo vepër rëndon edhe mbi dy vëllezërit e arrestuar.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni i koduar “Situata”.

Zbardhen përfshirja dhe rrethanat e konfliktit ndërmjet disa shtetasve, rreth mesnatës së datës 11 gusht, në rrugën “Gjolekë Kokona”, ku dhe u qëllua me armë zjarri.

Identifikohen 10 shtetasit e përfshirë. Vihen në pranga 4 prej tyre, procedohen penalisht 4 dhe shpallen në kërkim 2.

Sekuestrohen nga vendngjarja, 1 mjet prerës (thikë) dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Menjëherë pas njoftimit se disa shtetas ishin përfshirë në një konflikt në rrugën “Gjolekë Kokona”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 shkuan në vendngjarje për të përcaktuar shtetasit e përfshirë në konflikt, përgjegjësitë e tyre, si dhe rrethanat e rastit.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Situata”:

-u arrestuan shtetasit R. Z., 28 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”; K. K., 31 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe S. F., 24 vjeç dhe R. F., 34 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

-u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, 4 shtetas gjithashtu të përfshirë në konflikt;

-u shpallën në kërkim shtetasit F. F., 32 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe C. B., 32 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi i arrestuar R. F. ka fyer një të mitur të proceduar në gjendje të lirë. Si pasojë, 17-vjeçari dhe miq të tij janë konfliktuar fizikisht, me shtetasin R. F., vëllanë e tij, shtetasin S. F., dhe me miq të këtyre të fundit. Më pas, i mituri dhe miqtë e tij kanë shkuar me motomjete, te banesa e vëllezërve, nga ku dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të motomjeteve, vëllai tjetër i tyre, shtetasi i shpallur në kërkim, F. F., pa dëmtuar askënd.

Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë