Tiranë - Orlando Gjoka është 21-vjeçari, i cili ra në prangat e Policisë së Tiranës, pasi akuzohet se mashtronte qytetarët në rrjete sociale duke u ofruar atyre kredi të rreme, duke përdorur logon e një banke të nivelit të dytë.
I riu kontaktonte qytetarët, përmes platformave të ndryshme online, duke iu ofruar kredi të rreme pranë bankës, ndërsa nëpërmjet aksesit të paautorizuar në llogaritë e tyre bankare, u vidhte paratë.
Në rastet kur llogaritë nuk kishin para, ai i shtynte qytetarët të depozitonin shuma nga 750 deri në 1500 euro, me premtimin e rremë të një kredie prej 15 000 eurosh.
"Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe në koordinimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Smart Bank Phishing”.
Në kuadër të operacionit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit O. Gj., 21 vjeç, banues në Laç, si dhe u proceduan penalisht, në gjendje të lirë, shtetasit D. G., 23 vjeç dhe E. Gj., 21 vjeç.
Ai kontaktonte qytetarët, përmes platformave të ndryshme online, duke iu ofruar kredi të rreme pranë bankës, ndërsa nëpërmjet aksesit të paautorizuar në llogaritë e tyre bankare, arrinte të boshatiste fondet.
Në rastet kur llogaritë nuk kishin para, ai i shtynte qytetarët të depozitonin shuma nga 750 deri në 1500 euro, me premtimin e rremë të një kredie prej 15 000 eurosh.
Falë bashkëpunimit të ngushtë mes ekspertëve të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, u bë i mundur ndalimi i autorit kryesor dhe ndërprerja e veprimtarisë së paligjshme.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm", thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Mashtrim kompjuterik”, “Ndërhyrje kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i thirrjeve telefonike”.
Komente










