TIRANE- Kryeqyteti i Shqipërisë  festoi sot 17 Nëntorin, ditën e çlirimit nga trupat nazifashiste 68 vjet më parë. 17 nëntori 1944, shënon aktin më të rëndësishëm politik dhe ushtarak, pasi kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Si çdo vit Opozita dhe veteranët e luftës nacional Çlirimtare zhvilluan sot homazhe pranë bustit të Ushtarit të Panjohur.

Duke folur për debatin për rishkrimin e historisë veteranët thanë se historia nuk mund të ndryshohet pasi ajo është shkruar me gjak.

“Le të shkruajnë libra për të ndryshuar historinë. Ne atë e shkruajmë me gjak dhe nuk ndryshon dot. Le të japin dekorata ato janë metale, neve na dha populli titullin çlirimtar i vet. “- tha Rustem Peqi, kryetari i shoqatës së Veteranëve.

Ai u bëri apel të rinjve të mos e harrojnë historinë dhe as luftën e çlirimit të Shqipërisë
“Mos harroni, mësoni historinë, sepse e kemi të lavdishme. Nuk është kjo Gjermani që është sot, por erdhën këtu na vranë e na dogjën, 4 nga 5 gratë dëshmore, u varën sepse puthën flamurin. Liri Gerua u dogj përsëgjalli në Fier nga fashistët.
Të mos e bëjnë që luftën të thjeshtë, ka dashur shumë mund e sakrifica. Ne na vjen keq që në këtë 100 vjetor jemi të ndarë por s’kemi çfarë të bëjmë. Ka ditë të vështira, pro lavdia e popullit tonë nuk i ndryshon. Historia jonë është shkruar me gjak prandaj jemi krenarë për historinë që kemi kaluar”- tha Peqi.

Për të kujtuar ditën e çlirimit të Tiranës kryetari i bashkisë, Lulzim Basha zhvilloi homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.
Ai vlerësoi kontributin e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit, dhe se nderimi i atyre burrave dhe grave është një detyrim ndaj tyre.
“Ky përkujtim nis me një përlulje të thellë, nderojmë ata që ranë dhe luftuan për clirimin e Tiranës, e kësaj faqe të lavdishme që i dhanë kryeqytetit clirimin e pritur. Një detyrim edhe për edukimin e brezit të ardhshëm. Ata që bien për atdheun nuk vdesin kurrë. Shpresoj që në këtë 100 vjetor, të shërbejë si një burim për bashkim dhe jo përcarje. Detyra jonë është të mos përsërisim gabimet e të shkuarës, por të bashkohemi të gjithë për ti dhënë vendit atë që meriton” tha Basha.

CLIRIMI I TIRANES ME 17 NENTOR 1944

Çlirimi i Tiranës do t`i jepte me shumë prestigj e besim forcave partizane jo thjesht brenda vendit, por kryesisht pati rëndësi ndërkombëtare. Por jo vetem kaq. Tirana ishte pika lidhëse me rrugët që do të ndiqnin gjermanët gjatë tërheqjes nga jugu i Ballkanit. Kështu që çlirimi i Tiranës shkatërronte këtë korridor tërheqjeje për trupat gjermane, duke i veçuar në jug të Ballkanit ku dhe do të asgjesoheshin përfundimisht.
Urdhëri për të sulmuar e çliruar Tiranën u dha nga Shtabi i përgjithshëm. Kjo detyrë ju ngarkua korparmates së parë, e cila përbëhej nga divizioni i parë, i cili kishte marrë emër në të gjithë Shqipërine, por dhe tek anglo- amerikanet apo dhe tek vet gjermanët që kishin bërë disa herë përpjekje për ta shkatërruar atë.
Tirana u rrethua me përqendrime të medha forcash partizane, kryesisht lindja dhe veriu i Tiranës e kodrat perreth u morën tërësisht në kontrollin e forcave partizane.
Kështu nisi një luftë e përgjakshme, e cila u zhvillua në brendësi të qytetit, luftimet u zhvilluan në rrugët e Tiranës, madje dhe në oborret e shtëpive.
Në buletinin e botuar nga Bashkia e Tiranës në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, shkruhet se "U themelua për të qenë një qendër modeste shkëmbimesh për një popull bujk, që vuante mungesën e një tregu të afërt". Po si do të ndryshonte pas vitit 1920, kur Tirana u shpall kryeqytet me vendim të Kongresit të Lushnjës dhe si u kthye në qendër të jetës politike shoqërore?
Në dokumentet e shkruara të kohës janë fiksuar disa nga ngjarjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me planin rregullues të kryeqytetit të ardhshëm dhe godinat që do t'i rezistonin kohës akoma dhe për shumë vjet të tjera. Të gjitha të dhënat do të hidheshin në pjesën idilike në një album shkruar nga Osman Myderizi, të cilat vazhdojnë të ruhen ende në një nga regjistrat e seksioneve të Bashkisë së Tiranës.
(sg/shqiptarja.com)