TIRANË- Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 6 vjet e 8 muaj burg për Arbër Sulën i cili vrau me armë zjarri në 14 dhjetor të vitit 2021 Jurgen Dukën në një market pas një sherri për radhën.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm e dënoi me 10 vite burg ish-policin Sula për veprën penale “Vrasje me dashje”, por që dënimi iu konvertua me 6 vite e 8 muaj.

Ish-agjenti i krimeve me detyrë në Dibër, qëlloi me armë zjarri për vdekje 29-vjeçarin në konfliktin e nisur për radhën e pagesës në market në rrugën ‘Irfan Tomini’. Fillimisht Duka mbeti i plagosur ndërsa ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë pasi plumbi e preku në zemër. Arbër Sula ishte në arrati për më shumë se dy muaj nga vrasja, teksa u vetëdorëzua në polici në 1 mars të 2022.

Jurgen Duka nuk ishte një emër i panjohur për policinë pasi rezultoi me precedent të mëparshëm kriminal. Rasti më i fundit, në vitin 2020 ai u arrestua së bashku me Elison Hysenbelli në kuadër të operacionit anti-drogë mes Italisë dhe Shqipërisë, të koduar ‘Riviera’ dhe do ekstradohej drejt vendit fqinj për t'u gjykuar.