TIRANË- Një tjetër aksident në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, këtë radhë ka protagonist aktorin e humorit, Gazment Paja. Aktori udhëtonte me një motor në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda”, pranë ish-parkut të Autobusëve, kur është përplasur me një makinë. 

Fatmirësisht nga aksidenti nuk pati të lënduar rëndë, ndërsa sipas burimeve, aktori ka qenë duke ecur me shpejtësi dhe në shkelje të semaforit është përplasur me një makinë që sapo mori kthesën për t’u futur në korsinë e saj pas hapjes së semaforit jeshil. Megjithatë, duhet theksuar se edhe makina në fjalë i kishte kaluar vizat e bardha dhe semaforin, siç është parë rëndomë, në pritje të dritës jeshile.

Report Tv siguroi pamjet e momentit kur ai shihet i shtrirë në tokë, teksa policia ka shoqëruar në polici drejtuesin e mjetit E.K., për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Edhe para 1 jave po në rrugën e Kavajës një makinë aksidentoi një këmbësore, e cila mori plagë të rënda. E reja po kalonte rrugën, ndërsa drejtuesi i automjetit nuk mundet as të frenojë për shkak të shpejtësisë me të cilën lëvizte.