TIRANË - Komisioni i ligjeve miratoi vetëm më votat e demokratëve projektligjin e qeverisë “Për njohjen e titujve të pronësisë”. Por, në variantin përfundimtar nuk janë përfshirë propozimet e ministrit Fatmir Mediu, njëherësh kryetar i PR, parti e cila në focus të programit të saj politik ka çështjen e pronës.
Amendimet e Mediut janë rrëzuar thuajse të gjitha.
Ai i kishte propozuar Kuvendit të mos shpërndajë tapi në masë, por vetëm subjekteve që disponojnë certifikatën e përdorimit të tokës të marrë konform ligjit 7501. Tokën e atyre që nuk e disponojnë këtë certifikatë, Mediu propozoi që të kalohet në fondin fizik të kompensimit të ish-pronarëve.


Por, nga ana tjetër, edhe opozita i ka qëndruar kundërshtive të saj për projektligjin.
Sipas deputetet socialiste, Vasilika Hysi, ky dokument ligjor rrezikon të shkojë drejt Gjykatës Kushtetuese, pasi ka përplasje mes neneve 12 dhe 15 të tij, të cilat kundërshtojnë njëra tjetrën. Deputeti socialist Pandeli Majko ka kundërshtuar kriterin prej 10% të vlerës së pronës si “tavanin” për të njohur pronësinë mbi objektin.
Sipas Majkos, një gjë e tillë rrezikon të shkaktojë kaos, në veçanti në objektet e ndërtuara në prona publike para viteve ’90.



EKSPERTËT
Ekspertët shprehen se ky ligj i jep të drejtë të aplikojnë për të qënë pronarë edhe personave të cilët nuk kanë dokumentacion të plotë, gjë e cila e bën të dyshmitë nëse ai është vërtetë përfitues i tokës. Nga ana tjetër, sipas tyre ligji përdor standarde të ndryshme për kategori përfituesish të ndryshëm. Ndërkohë Jemin Gjana, kryetar i komisionit të veprimtarive prodhuese sqaroi pak ditë më parë se mungesa e dokumentacioneve për përdoruesit e tokës mund të vijë si rezultat i avarive që ka patur procesi në atë kohë ndërkohë që këtë pjesë do ta verifikojnë komisionet e tokës që janë ngritur në komuna. Ky ligj është propozuar nga ministria e bujqësisë.


PROJEKTLIGJI
Projekligji i ministrisë synon t'u japë tapinë për tokën në fshat individëve apo familjeve që e kanë në përdorim prej 20 vitesh dhe që kanë punuar në ish-ndërmarrjet bujqësore, por nuk e kanë privatizuar.
"Nisma sot godet në zemër ligjin bazë, prandaj mos na e shfuqizoni ligjin bazë, merrni dhe mbyllni veprimin e atij ligji. Merrni dhe sillni këtu nismën që mbas këtij procesi ligji bazë nuk ekziston më, shfuqizohet pas mbylljes së këtij procesi, që ne ta dimë me siguri çfarë po bëjmë. Po mbyllim një proces që nuk është mbyllur dot për shkak të burokracive administrative, apo po hapim një spirale të re siç ka frikë kolegu Mediu", tha Ilir Rusmajli, kryetar i komisionit të ligjeve.


(aq/shqiptarja.com)