Punonjësit e policisë së shtetit do të duhen të plotësojnë një tjetër formular në kuadër të lidhjeve apo kontakteve me krimin e organizuar. Më parë punonjësit e policisë iu nënshtruan plotësimit të një formulari në lidhje me përdorimin e aplikacionit Sky Ecc.

Tashmë do të plotësohet formulari  ku përveç pyetjeve gjeneraliste, do të ketë edhe pyetje nëse punonjësit e policisë kanë pasur kontakte me krimin e organizuar, kontakte të çfarëdollojshme, qoftë edhe komunikime elektronike.

Nga ana tjetër ka edhe pyetje nëse punonjësi i policisë ka pranuar apo shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasur me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Policia e shtetit, ashtu siç është deklaruar edhe nga ministri i Brendshëm Taulant Balla është në një proces vetëpastrimi, ku një aspekt i kësaj është edhe plotësimi i këtij formulari që është i dyti pas atij nëse punonjësi i policisë ka përdorur aplikacionin e shumëpërdorur nga krimi, Sky Ecc.

Nisma vjen edhe pas hetimeve të SPAK apo operacioneve policore ku nxori në pah shumë drejtor policie të përfshirë në krimin e organizuar.

Pyetjet në formularin e vetëdeklarimit “Mbi verifikimin e integritetit të punonjësve të strukturave në Policinë e Shtetit”:

1)            A jeni dënuar me vendim të formës së prerë nga autoritetet gjyqësore shqiptare ose të huaja ?

2)            A keni kryer shkelje sigurie, a keni shkelur rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, a keni tentuar dhe keni arritur të kryeni aktivitet të paautorizuar në sistemet e komunikimit të informacionit të klasifikuar ?

3)            A keni në hetim ose gjykim nga autoritetet shqiptare ose të huaja, për vepra penale ?

4)            A keni qenë i ndaluar ose arrestuar nga organet ligjzbatuese shqiptare ose të huaja, për vepra penale ?

5)            A është caktuar ndaj jush ndonjëherë masë shtrënguese e sigurisë personale ?

6)            A është lëshuar ndaj jush urdhër kërkimi kombëtar ose ndërkombëtar për vepra penale ?

7)            A keni pasur kontakte të papërshtatshme, komunikime elektronike, ose çfarëdolloj mënyre tjetër takimi apo komunikimi të qëllimshëm, me persona të përfshirë në krim të organizuar?

8)            A keni pranuar apo shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri me persona të përfshirë në krim të organizuar ?