Gjykata e Fierit ka lënë në burg ish-drejtorët e Kadastrës Ertis Shehu e Bardhyl Kapaj ndërsa për biznesmenin Kastriot Hasko ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë me “arrest në shtëpi” për një skemë të dyshuar të tjetërsimit të pronave në zonën e Semanit.
Sipas Prokurorisë, biznesmeni Kastriot Hasko dyshohet se ka përdorur dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të regjistruar toka në bashkëpronësi me katër persona të tjerë dhe më pas për t’ua shitur ato dy shoqërive.
Prokuroria ka sekuestruar 76 pasuri me një sipërfaqe totale prej 1,143 hektarësh, si dhe 150 mijë euro.
Njoftimi i plotë
1. Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim E.S., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
2. Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim P.Ç., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
3. Vazhdimin si masë sigurimi personal shtrënguese ndaj personit nën hetim B.K., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
4. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal shtrëngues ndaj personit nën hetim K.H., nga masa e sigurimit “Arrest në burg” në atë të “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale. Masë e cila do të vuhet nga personi nën hetim në banesën e tij
5. Urdhërohet personi nën hetim të mos largohet nga adresa e banimit dhe të mos ketë kontakte me persona të tjerë përveç pjesëtarëve të familjes.
6. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim K.H., nëse nuk mbahet apo nuk duhet të mbahet për efekt të ndonjë mase tjetër sigurimi apo vendimi dënimi.
7. Urdhërohet Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
8. Ngarkohet Prokuroria dhe Policia Gjyqësore të mbikëqyrin dhe kontrollojnë zbatimin e vendimit të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, nga personi nën hetim K.H.
9. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5 (pesë) ditëve, nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.
Lajmi kryesor:
Pas Semanit, ish-drejtori i Kadastrës së Fierit dyshohet se tjetërsoi edhe 71.7 hektarë tokë në Levan, i sekuestrohen 716 mijë euro! Masë sigurie edhe për 2 të tjerë








