Tiranë, 3 Shkurt / ATSH - Me qëllimin për të afruar sa më shumë publikun drejt artit që bëhet në TKOB, kalendari për muajt shkurt dhe mars përfshin tituj të njohur, kompozitorë me famë botërore, artistë të huaj dhe shqiptare, emra të njohur, por edhe talente të reja.
"E sjellim këtë program me shumë dashuri dhe ajo që duam të na sillni ju,  është kënaqësia që t'u shohim të shumtë në sallën e TKOBAP", shkruhet bashkangjitur kalendarit që TKOB ka postuar së fundmi.
TKOB bën me dije se shumë shpejt publiku do të ketë mundësinë të ndjeke operan e parë për këtë vit. Ajo vjen një produksion totalisht I ri në skenografi, kostume dhe regji I dy Operave nga Triptiku I Puccini-t, Suor Angelica dhe Gianni Schicchi. Një produksion vërtetë i madh dhe i rëndësishëm, i cili sjell edhe njëherë në skenën e TKOBAP, artistë shqiptarë të njohur në të gjithë botën, por edhe artistë të huaj, solistët e TKOBAP, orkestrën tonë simfonike, korin etj.
Ndërkohë që muaji mars do të sjellë një opera tjetër të dashur për publikun, Le nozze di Figaro, të kompozitorit W.A Mozzart, një tjetër bashkëpunim mes artistëve të TKOBAP, artistëve shqiptarë që këndojnë jashtë kufijëve dhe atyre të huaj, gjë që dëshmon se ky teatër është gjithmonë i hapur për të gjithë ata që flasin gjuhën e muzikës dhe për të patur në fund një shfaqje me cilësi të lartë artistike.
Ndërkohë që për të gjithë ata që e duan baletin, gjatë muajit shkurt dhe mars do të kenë mundësinë të ndjekin dy pjesë koreografike nga Daniel Cardoso, koreograf shumë i njohur portugez, "Impact" dhe "Table".
"Impact" është për njeriun e sotëm, për ndikimin e teknologjisë mbi të. Ajo na sjell afër, por na largon në të njëjtën kohë. Një temë shumë aktuale, një emocion i veçantë ta shohësh nëpërmjet lëvizjeve të balerinëve në një skenë të thjeshtë, e cila transformohet ...ndërton dhe shemb mure...
"Table", tavolina një objekt kaq i rëndësishëm në jetët tona, aty punojmë, marrim vendime, gëzojmë në shoqërinë e njëri-tjetrit ose jemi vetëm... në një tavolinë.
Baleti klasik rikthehet me "Coppelia", një balet i dashur për të gjithë, të rritur dhe fëmijë, një përrallë e bukur, ku dashuria e Franzit dhe Svenildës triumfon në fund, siç ndodh gjithmonë në përrallë. E gjitha kjo e treguar me muzikën e bukur të Leo Delibes, koreografinë e Ilir Kernit dhe solistëve dhe Trupës së Baletit të TKOB.
Do të ketë edhe një premierë këtë sezon, një koreografi krejt e re për "La Sylphide" nga Ilir Kerni. Baleti klasik do të vijë për publikun shqiptar në datat 27 dhe 28 mars 2015, Ora 19.00
Cikli I koncerteve të cilat u hapën gjatë muajit janar dhe "mbretëruan" në këtë muaj, vijojnë në dy muajt e ardhshëm. Rëndësi të veçantë do t'i jepet muzikës shqiptare dhe kompozitorëve shqiptarë, të cilët do të sjellin krijimet e tyre në këtë cikël të quajtur "Krijuesit Shqiptar në TKOB", I cili do të vazhdojë gjatë gjithë vitit.
Na jep kënaqësi të veçantë sjellja në kujtesë e artistëve të mëdhenj shqiptare, të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e muzikës. Festuam në janar 80-vjetorin e Artistit të madh Gaqo Çako dhe do të festojmë në shkurt ditëlindjen e 85-të të  Milto Vako, dirigjentit të parë shqiptar.
Ansambli Popullor I cili përfaqëson kulturën dhe traditën tonë në këngë dhe valle, ne muajin mars sjell "Këngët e Pranverës" në skenën e TKOBAP dhe në Elbasan me rastin e Ditës së Verës. Një koncert tjetër I Ansamblit Popullor qe nuk duhet humbur është edhe ai që prek "Rrënjët" e valleve popullore, një koncert që I kushtohet koreografit Angjelin Preljocaj.
/k.m//a.ke/