TIRANE-Udhëtarët e autobuzit të linjës ndërkombëtare Athinë-Tiranë kanë parë tmerin me sy, kur mjeti me targa AA 578 GC i kompansië “Klid Ballkans”, është sulmuar me breshëri kallashnikovi dhe të shtëna çifteje apo shotgani. Si pasojë e këtij sulmi, të ndodhur në dalje të Memaliajt tek kthesa e Vasjarit, ka mbetur i vdekur njëri nga pasagjerët, 23-vjeçari nga Elbasani, Laurent Tabaku, i cili vdiq në spitalin rajonal të Fierit, ndërkohë që e plagosur mbeti dhe 19-vjeçaria Qebarie Dihani, e cila vijon të qëndrojë e shtruar në spitalin e Fierit, duke marrë trajtimin mjekësor.

Ngjarja tepër e rëndë është rregjistruar rreth orës 01:30, kur sapo autobuzi ka dalë nga qyteza e Memaliaj, ka ulur shpejtësinë për të kaluar një kanal që ndodhej në rrugë. Pikërisht në këtë moment një person që ndodhej shumë pranë rrugës, dhe që drejtuesi i autobuzit ka menduar se është ndonjë barri i zonës, ka hapur zjarr në drejtim të shoferit. E shtëna e parë ka ndodhur në krahun e mjatë të autobuzit, ku është qëlluar në drejtim të shoferit, por saçmat nuk kanë mundur të depërtojnë të gjitha në pjesën e brendshme të autobuzit, duke mos i sjellë kështu asnjë pasojë drejtuesit të mjetit. Teksa, shoferi ka shtuar shpejtësinë për të shmangur grabitësit, një breshëri e dytë kallashnikovi është dëgjuar këtë rradhë, ku plumbat janë derdhur mbi 22 udhëtarët që ndodheshin në autobuz.

Si rezultat i kësaj situate, është plagosur rëndë shtetasi Laurent Tabaku, i cili disa orë më pas gjeti vdekjen në spitalin e Fierit, si dhe ka mbetur e plagosur më lehtë 19-vjeçaria Qabarie Dihani.E gjithë ngjarja ka ndodhur kur pjesa më e madhe e udhëtarëve kanë qënë në gjumë. Ndërkohë policia ka vënë 10 mijë ero shpërblim për këdo që jep informacion në numrin 0694102732, për kapjen e dy autorëve të këtij krimi të rëndë.

Situata në autobus
Momente tmeri kanë qënë minutat e sulmit me armë dhe pas tij. Veç shoferit që drejtonte autobuzin, të gjithë personat brenda tij janë shtrirë në dyshemenë e autobuzit, duke bërtitur:”…jepi shpejt, shpejt se na vranë…”. Menjëherë pas të shtënave, shoferi ka mundur të largojë nga zona e nxehtë autobusin, duke u larguar në një zonë ku dhe ka hasur në një postobllok policie.

Pikërisht në këtë moment u është dhënë ndihma e parë dy të plagosurve, ku me makinat e policisë janë dërguar me shpejtësi në spitalin Tepelenës dhe më pas me autoambulancë, janë transportuar në spitalin e Fierit. Babai i vajzës së plagosur ka deklaruar në media se sapo ka parë vajzën të përgjakur, ka menduar se kishte humbur të bijën.Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të shumta policie, me qëllim kapjen e autorëve, por në 24 orët e para kërkimet dhe hetimet kanë qënë pa rezultat.

15 të shoqëruar
Forca të shumta të policisë së Gjirokastrës dhe dy grupe të FNSH Fier, kanë kryer kontrolle të shumta në disa zona të Memaliaj dhe Tepelenë. Lidhur me ngjarjen janë shoqëruar 15 persona që konsiderohen me precedent penalë, ku pas intervistimit ata janë lënë sërisht të lirë. Po kështu, policia e Gjirokastrës ka marrë në pyetje të gjithë pasagjerët që ndodheshin në autobus, shoferin dhe menaxherin e linjës, ndërkohë që vijojnë kontrollet në të gjithë zonën. Sipas policisë kërkimet janë përqendruar në 4 komuna të Tepelenës, Kurveleshit, Luftinjë, Krastë, dhe komuna Lozpez.

Edmond Tafa: Pashë njeriun që qëlloi menduam se ishte bari
 
Edmond Tafa, menaxher i linjës, ka qenë i ulur pranë shoferit kur ka pikasur i pari një person në cep të rrugës. Për shkak të errësirës, pasi ora shënonte 01:30 pas mesnate, 27 janar, Tafa ka menduar se ishte bari. Por në momentin që autobusi ka ulur shpejtësinë, janë dëgjuar të shtënat me armë në drejtim të autobusit. Duke qenë se të shtënat dallohej se vinin nga armë të ndryshme, menaxheri thotë se mund të ishin më shumë se dy vetë ata që i sulmuan.

Si e kujtoni momentin kur ju sulmuan?
Sapo kaluam Memaliajn. Është një kanal. U detyruam të ulim shpejtësinë. Atje na kishin bërë pritë. Ishte shoferi dhe unë, pranë pasagjerët.

Si e kuptuat ju që mund të ishin grabitës?
Pamë një njeri 3 m larg autobusit. Na u duk si bari. Aty ishte errësirë e plotë. Në atë moment vetëm kur dëgjojmë që na gjuajti.

Nga cila anë ju gjuajtën fillimisht?
Nga krahu i majtë.

Kjo është goditja e parë?
Shoferit i thamë jepi makinës me shpejtësi të madhe e pastaj dëgjuam, 5-6 gjuajtje kallashi.

U shqetësuan njerëzit?
Njerëzit u shqetësuan sigurisht dhe u shtrinë poshtë në autobus. E shtuam shpejtësinë e autobusit. Diku 8-10 km na doli policia përpara dhe aty hapëm krahun. Ndaluam se ishin dy anash të evidentuar që na qëlluan, por mund të ishin dhe më tepër. Njëri gjuajti me kallash, dikush tjetër me armë ose çifte.

Sa pasagjerë ishin në autobus?
22 persona. Plumbat na çanë radiatorin.

Si e kuptuat për vajzën dhe djalin që ishin plagosur?
Kur ndaluam 8 apo 10 km më larg, atëherë e kuptuam që dy pasagjerë ishin të palgosur se ajo vajza ishte e gjakosur, kurse ai djali nuk lëvizte fare.
 

Shkrimi u publikua sot (28.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)