Shkon në 70 bilanci i viktimave në kamionin i cili u gjet dje i braktisur në autostradën e cila lidh Vienën me Serbinë.
 
Raportet fillestare flisnin për 50 të vdekur, por zëdhënësi i ministrisë së jashtme austriake konfirmoj se bëhet fjalë për 70 viktima. Shkak për vdekjen mendohet të ketë qenë mungesa e ajrit.  Ndërkohë policia vendase bëri me dije se dje u arrestuan 3 trafikantë qeniesh njerëzore në afërsi të qytetit Bruck.
 
Ky lajm u bë publik në një konferencë për shtyp të mbajtur nga policia e shtetit në Burgenland, qytetin ku u zbulua kamioni.
 
Autoritetet ende nuk kanë asnjë informacion mbi identitetin, moshën apo vendin e origjinës së emigrantëve.
 
Automjeti ku ndodheshin refugjatët ishte i regjistruar në Hungari dhe i përkiste një kompanie shpendësh sllovake.

Mendohet se refugjatët kanë qëndruar të mbyllur në kamion prej 2 ditësh.

Policia austriake dhe ajo hungareze kanë nisur një aksion të përbashkët hetimor ndërkohë ende nuk është identifikuar shoferi i kamionit.

Redaksia Online
(o.b/shqiptarja.com)