ATHINË- Një ngjarje e rëndë është zbuluar në zonën Kypseli të Athinës, ku policia gjeti një foshnjë të pajetë dhe të ngrirë, të vendosur brenda një ene në një valixhe.

Gjithçka nisi pas denoncimit të pronarit të një apartamenti Airbnb në rrugën Thasou. Ai njoftoi policinë se personat që kishin marrë banesën me qira refuzonin të largoheshin dhe nuk kishin paguar, ndërsa pretendoi se në apartament përdorej edhe drogë.

Sipas mediave greke, pranë zonës po kalonin në atë moment efektivë të skuadrës DIAS me motorë. Pronari i ndaloi dhe i shoqëroi drejt apartamentit.

Në banesë ndodheshin burri me origjinë greke që kishte marrë me qira apartamentin, bashkëshortja e tij, vajza e tij 15-vjeçare dhe një shtetas afgan. Aty u gjetën gjithashtu dy fëmijë të mitur.

Policët morën nga banesa dy valixhe dhe i transportuan në komisariat për kontroll. Kur i hapën, në njërën prej tyre gjetën një enë, brenda së cilës ndodhej një foshnjë e pajetë dhe e ngrirë.

E pyetur nga policia, gruaja gjermane pretendoi se foshnja ishte e saj dhe se e kishte humbur tetë muaj më parë.

Ndërkohë, sipas informacioneve të mediave greke, 15-vjeçarja që ndodhej në apartament është shtatzënë, ndërsa babai i fëmijës dyshohet të jetë shtetasi afgan.