Një 35-vjeçar shqiptar ka dhunuar bashkëshorten e tij 31-vjeçare dhe më pas e ka mbyllur në garazh. Fatmirësisht gruaja ka mundur të arratiset nga garazhi dhe ka shkuar më pas në polici ku dhe ka denoncuar bashkëshortin.
Ajo ka rrëfyer para policisë se burri e kishte marrë me forcë mëngjesin e djeshëm nga makina e një prej kolegëve të saj, ku së bashku me djalin e saj 9-vjeçar, ishte nisur për në punë. Pas një debati të ashpër, burri mësohet se e ka dërguar atë në një shtëpi të pabanuar në zonën e via Libertà, në Maddaloni, ku pasi e rrahu dhe e kërcënoi me vdekje, e mbylli në garazh, duke u larguar me djalin dhe duke e paralajmëruar se do të kthehej për ta vrarë.
Sipas mediave italiane, gjatë natës, 31-vjeçarja ka arritur të arratiset nga “burgu i saj” duke thyer një dritare dhe duke u vetëplagosur. Falë një kalimtari, ajo më pas ka arritur të lajmërojë policinë.
31-vjeçarja ka mundur të bashkohet me të birin dhe të strehohet në një qendër në ndihmë të grave të dhunuara, ndërsa bashkëshorti i saj, 35-vjeçari shqiptar, është ende në kërkim për dhunë në familje dhe rrëmbim.