Toka bujqësore, ja kush mund të marrë ende pronësinë me ligjin 7501

Toka bujqësore, ja kush mund të marrë ende pronësinë me ligjin 7501

Foto ilustruese

Dy ligje lidhur me pronësinë mbi tokën bujqësore, të sapobotuara në Fletoren Zyrtare dhe të cilat hyjnë në fuqi në fillim të muajit prill, synojnë t’i japin fund odisesë së një procesi të filluar me ligjin 7501. Ndryshimet e reja janë bërë në në ligjin 9948, datë 7 korrik 2008, “për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar dhe në ligjin nr. 171/2014, “për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar.

Përfituesit

Me ndryshimet e bëra së fundmi nismat ligjore, tashmë të miratuara nga Kuvendi dhe të dekretuara nga presidenti i Republikës, rrëzojnë kërkesën e domosdoshme të vendbanimit të detyrueshëm për ata që kanë përfituar tokën bujqësore. Kjo do të thotë, me fjalë të tjera, që ata jo domosdoshmërisht duhet të jenë ende banorë të së njëjtës njësi vendore. Kështu, ligji ka shfuqizuar pikën “ii” e cila theksonte se ligji zbatohet për subjektet që përmbushin disa kushte, mes të cilave “në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji të jenë banorë të njësisë së qeverisjes vendore dhe prej datës 1.10.1992 nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre sipas regjistrit të gjendjes civile”.

Nga ana tjetër, ligji shton kategoritë e atyre që përfitojnë përmes dy pikave të reja. Ky ligj do të zbatohet për “familjet bujqësore ose individët, të cilët përmbushin kushtin e parë duke qenë punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.8.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka objekt i kalimit në pronësi, pas datës 1.8.1991, por të mos kenë përfituar tokë bujqësore në përdorim apo pronësi, në fshatin ku kanë pasur gjendjen civile më 1.8.1991”.

Po kështu edhe kushtin tjetër, që ka të bëjë me atë se ata ”përdorin tokën për veprimtari bujqësore por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë”.

Përfitues sipas pikës së katërt që shtohet në nenin 2 janë familjet bujqësore ose individët, të cilët përmbushin kushtet si më poshtë: nuk kanë qenё punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por kanë qenё banorё të fshatit ku gjendet toka bujqësore, objekt i kalimit të pronësisë, sipas regjistrit të gjendjes civile më 1.8.1991, por të mos kenë përfituar më parë tokë bujqësore në përdorim apo pronësi; e përdorin tokën për veprimtari bujqësore por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë.

Sasia e tokës

Përdoruesit e tokës bujqësore në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, të cilët disponojnë tokë bujqësore në përdorim, të regjistruar në aktin e marrjes së tokës së tyre në përdorim, e përfitojnë tokën bujqësore në pronësi, por pa kaluar normën për frymë të aplikuar nga komisioni i ndarjes së tokës në fshatin përkatës.

Investimet

Në amendime janë përfshirë edhe kategoritë e pronave që përjashtohen nga procesi i kalimit të titujve, duke shtuar se nuk do të vijohet me këtë pjesë për ato prona që janë objekt i investimeve strategjike sipas ligjeve në fuqi.

Afatet

Sipas ndryshimeve ligjore, afati për përfundimin e procedurave të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve mbyllet në datën 31 dhjetor 2019. Ndërkohë, praktikat në proces dhe të papërfunduara deri në datën 1 janar 2019, si dhe aplikimet paraqitura deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji konsiderohen të vlefshme.

Kushtet për përfitimin e pronësisë nga familjet bujqësore ose individët

Të kenë qenë punonjës të ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.8.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka objekt i kalimit në pronësi, pas datës 1.8.1991, por të mos kenë përfituar tokë bujqësore në përdorim apo pronësi, në fshatin ku kanë pasur gjendjen civile më 1.8.1991

E përdorin tokën për veprimtari bujqësore, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë

Nuk kanë qenё punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por kanë qenё banorё të fshatit ku gjendet toka bujqësore, objekt i kalimit të pronësisë, sipas regjistrit të gjendjes civile më 1.8.1991, por të mos kenë përfituar më parë tokë bujqësore në përdorim apo pronësi

E përdorin tokën për veprimtari bujqësore, por kanë mungesa në plotësimin e dokumentacionit të përdorimit apo pronësisë

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani